Skip to main content

Nevoja për Qendrën e Djathtë në Shqipëri

 


Më shumë së tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria i ngjan një avioni i cili më në fund ka dalë në pistë pas izolimit gjysëm shekullor në burgun e tmerrshëm të Enver Hoxhës, por nuk po arrin të bëjë shkëputjen e shumëpritur për tu ngjitur në qiell. Kjo do të përbënte një hap domethënës për vendin, duke e nxjerrë nga faza e një shteti pa orientim strategjik, dhe transformuar në një shtet të zhvilluar, antar të Bashkimit Europian dhe të gatshëm për të përballuar sfidat aktuale dhe dekadave të ardhshme.

Rreziku i ngecjes në pistë, dhe më keq akoma, parkimi i mundshëm i Shqipërisë në rradhën e vendeve autoritare, ku ka gjysëm liri ose pak liri është bërë edhe më akut në një kohë kur partia në pushtet ka krijuar një hegjemoni politike dhe ekonomike afatgjatë. Pavarësisht progresit të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes dhe politikës, drejtësia nuk është alternativë politike, por një mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit.

Për më tepër, gjasat që pushteti të rigjenerojë vetëveten në vende me traditë demokratike të brishtë si Shqipëria janë më të mëdha. Lufta ndaj regjimeve gjysëm demokratike është bërë më e vështirë pasi forcat opozitare dhe shoqëria në tërësi ecën në një teh të hollë iluziv ku mund të kritikojë, protestojë apo marrë pjesë në zgjedhje, por e ka pothuajse të pamundur të prodhojë ndryshim.

Koha kur Roberto Mugabe i Zimbabveve eliminonte kundershtarët politik dhe manipulonte trashë zgjedhjet ka marrë fund. Sot, kontrolli i burimeve shtetërore, narrativës politike nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, dhe ndryshimet në kodin zgjedhor e kthejnë përpjekjen për ndryshim të modelit politik dhe ekonomik në një luftë sizifiane. Lëvizjet demografike në Shqipëri, ‘liria’ për të emigruar, dhe rënia e numrit të të rinjve si pasojë e lindjeve të ulta dhe emigracionit ka shpërbyer si një valvul shkarkimi të tensioneve të mundshme politike si pasojë e modelit ekonomik statist ku ata që kanë pushtet pasurohen jo nëpërmjet sipërmarrjes së lirë, por aksesit në buxhetin e shtetit.

Kjo trase drejt një pushteti autoritar po ngjeshet gjithnjë e më shumë nga shpartallimi organizativ dhe ideologjik i opozitës parlamentare shqiptare. Ajo është kthyer praktikisht në një organizëm autoimun i cili shkatërron vetëveten. Lufta civile për pushtet e ka dërrmuar PD, duke minuar totalisht besimin e publikut se ajo mund të rigjejë rrugën e rikthimin në pushtet. E drejtuar nga të njëjtët njerëz prej tre dekadash, gjuha që flet, imazhi që transmeton sot dhe mendësia me të cilën opozita parlamentare bën politike nuk i thotë asgjë sfidave dhe cinizmit me të cilat përballet Shqipëria.

Lidershipi me retorikë sterile, pa ide alternative dhe racionale, tregon se PD-të në masë të madhe e kanë humbur orientimin ideologjik. Mbështetja bujare që të djathtët i kanë dhënë PD gjatë këtyre dekadave është hedhur në det nga njerëz që pushtetin e shikojnë si dëshirë dhe mjet, por jo si projekt politik transformues. Për më tepër, ajo është larguar nga idetë e qendrës së djathtë, të cilët sillen rreth shtetit ligjorë, respektimin të institucioneve demokratike, prudencës, përgjegjësisë fiskale, kompetencës në qeverisje dhe mbështetjes së sipërmarrjes së lirë.

Garendja për të ruajtur copën e vogël të tortës së pushtetit duket se e ka detyruar një pjesë të njerëzve të opozitës parlametare të gjejnë strehë tek politika identitare. Përqafimi i rrymave populiste evropiane apo amerikane në një vend si Shqipëria që nuk ndan as problemet dhe as sfidat apo histori politike të ngjashme, po e zhvendos një pjesë të mirë të PD në ekstremin e të djathtës ku nuk ka vend për shtresën e mesme të moderuar e cila kërkon liri individuale, konsensus në qendër dhe përmbatje në ushtrimin e pushtetit. Ndërsa ajo pjesë që kërkon të ruajë një profil liberal per se ka pësuar hemoragji në njerëz dhe seriozitet.

Partia Konservatore në Britani ka qeverisur më gjatë se çdo parti tjetër politike në botë falë reformimit të vazhdueshëm dhe ndryshimit (ka ndërruar të paktën 7 liderë në 3 dekada). PD nuk ka treguar as forcë as guxim për tu reformuar. Ajo ka humbur dhe atë nukël liberale e cila ndihmoj rikthimin e saj në pushtet në vitin 2005 dhe ndërmori disa reforma të guximshme që prodhuan zhvillim ekonomik dhe integrimin në NATO. Krahu liberal për shembull ka qenë forcë udhëheqëse në Partinë Konservatore britanike (fraksioni One Nation) apo në CDU gjermane qysh prej mbarimit të luftës së dytë botërore.

Boshllëku politik që po krijon tërheqja e një pjesë të rëndësishme të PD nga politika në qendër dhe e djathta e moderuar, si dhe fryrja e borive të ‘luftës kulturore’ e cila është çështje e pak njerëzve në Tiranë, mund të nxisë të paktën dy reagime centrifugale.

Së pari, zhvendosja djathtas në ekstrem do të jetë kundërproduktive nga pikëpamja elektorale. Zhurma e ‘luftës kulturore’ me teori konspirative dhe ofrimi i zgjidhjeve të lehta për probleme komplekse mund të jetë emocionuese në rrjetet sociale, por do të rezultojë katastrofike në kutitë e votimit. Njerëzit përballen me sfida të përditshme në jetën e tyre, si hemoragjia demografike në veri dhe jug të vendit, ngushtimi i hapësirave të lirisë, rrënimi i ekonomisë familjare dhe biznesit nga taksat e larta dhe tarifat e tërthorta, si dhe me korrupsionin endemik dhe shkatërrimi i ekosistemit natyror i cili do të rrisë koston e jetesës dhe shëndetit në vitet e ardhshme.

Së dyti, populizmi është një strategji hilacake që synon rezultate të momentit, pa marrë në konsideratë se është e paqëndrueshme dhe kundërproduktive në afatgjatë. Qendra e djathtë është shquar gjithnjë për vizion dhe politika aftatgjata, pragmatizëm dhe përgjegjshmëri. Lëvizjet e reja politike në Shqipëri janë në mënyrë dominante gjenerim i ideve të majta të cilat premtojnë rishpërndarje po akumuluar pasuri. Rrëshqitja e një pjese të konsiderueshme të opozitës në ekstrem, lufta vëllavrasëse mes palëve se kush është opozita e ‘vërtetë’ po krijon një boshllëk ideologjik dhe politik i cili po mbushet nga e majta dhe politika identitare e një tjetër lloji.

Ndërsa qendra e majtë dhe konsensusi në qendër për interesin publik dhe kombëtar është një dialektikë normale në shoqëritë demokratike, ngjizja e ideve radikale të majta nuk ofron zgjidhje afatgjatë për një vend si Shqipëria e cila ka nevojë dëshpëruese për të nxitur sipërmarrjen e lirë dhe inovacionin. Historia jo e largët e Shqipërisë enversite dhe bllokut komunist të Evropës Lindore ka demostruar se shpërndarja e tortës pa e zmadhuar është rishpërndarje e varfërisë.

Ndërkohë, fshehja pas apo krijimi i hapësirës fertile për mbirjen e politikës identitare rrezikon të hedhë në erë harmoninë sociale në Shqipëri. Mungesa e një platforme politike të reformuar, të përgjegjëshme, racionale dhe pragmatiste të mishëruara tek qendra e djathtë po ngjall aspirta për forca politike me karakter dhe agjenda fetare në vend. 

Mjafton një vëzhgim sipërfaqësor i komunikimit publik dhe rrjeteve sociale për të kuptuar se ka një shtrat të tillë shoqëror i cili është i gatshëm të përqafojë një politikë me ngjyrime fetare dhe populiste. Ecja në këtë drejtim do të ishte vrapim drejt humnerës, pasi shteti dhe kombi shqiptar i përbërë nga të paktën tre nënshtresa tradicionale religjoze ka vendosur kombin si busull të orientimit të vet strategjik.

Në këtë kontekst, është domosdoshmëri artikulimi i ideve të qendrës së djathtë rreth ndryshimit, kompetencës, moderimit dhe politikave ekonomike të cilat gjenerojnë rritje ekonomike dhe vendosjen e Shqipërisë në shina demokratike. Operacionalizimi i tyre do të marrë kohë dhe shumë energji, por do të jetë vendimtare për shkëputjen e Shqipërisë nga këneta post-komuniste.

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me q ë llim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore. Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri. Por,...

KUR PD TAKON ELEFANTIN

Si të kuptosh trupin politik? Objektivi kryesor i partive politike është të fitojnë zgjedhjet dhe qeverisin. Vetëm kjo do t'i mundësojë një organizmi politik të vendosë në jetë programin elektoral, mbështesë shtresat shoqërore që përfaqëson dhe të sjellë trofe politik tek mbështetësit. Pra, partitë politike duhet të shmangin me çdo kusht humbjen e zgjedhjeve. Sigurisht shkalla e humbjes varion: çfarë është humbje, për shembull për një parti nuk është për një tjetër. Nëse merr pjesë për herë të parë në zgjedhje, fitimi i disa ulësve në parlament është fitore. Por nëse je një nga partitë krysore të sistemit politik dalja apo qëndrimi në opozitë është padyshim disfatë elektorale. Humbja e zgjedhjeve nga Partia Konservatore në Britani, Partia Demokratike në SHBA dhe së fundi nga Social-Demokratët në Gjermani përbën një moment thyrje në jetën politike të këtyre partive. Humbja shoqërohet me kriza të brendshme, avullim të fondeve si pasojë e largimit të donatorëve, zhgënjim dhe largim ...