Skip to main content

Nevoja për të Djathtën: Disa Ide Qëndrore

 


I. Modeli ekonomik (zgjerimi i lirisë)

E djathta e qendrës është udhëhequr që nga koha e iluminizmit, e mandej në shekullin e XX (ekonomistët e shkollës së Vjenës Von Mises, Hajek, dhe Erhard më vonë), (përfshi Theçer dhe Regan në sferën politike) nga ideali i zgjerimit të lirisë individuale. Në këtë kuptim, qendra e djathtë është natyrshëm mosbesuese ndaj rolit të shtetit apo autoritetit nga lart në jetën ekonomike, politike apo sociale të vendit. Ajo beson se individi është më mirë i përgatitur për t’i shpenzuar paratë në interes të mirëqënies së tij dhe familjes. Kështu, e djathta takson më pak për të lënë më shumë para në xhepat e qytetarëve. Për të djathtën, jeta ekonmike, politike dhe sociale është shumë komplekse për tu organizuar në mënyrë të planifikuar nga një trupë politike apo epistemike.

Dija sipas ekonomistit austriak Friedrich Hayek është e shpërndarë në hapësirë dhe kohë, dhe nuk është as shumatore e dijes shkencore. Njerëzit kanë agjensi veprimi autonome, prandaj nuk mund të diktohen nga lart. Prandaj, e djathta mbështet shtetin e ‘vogël’, dhe taksa të ulta për të nxitur sipërmarrjen dhe rritjen ekonomike. Ideja se ti mund ta kontrollosh tortën dhe ta hashë ka rezultuar katasfrotike për vendet që mbështetën politika puniste gjatë shekullit të kaluar si në Europën Lindore apo në Amerikën Latine.  Reduktimi i rolit të shtetit bëhet edhe më imperativ në vende si Shqipëria ku korrupsioni është i shpërndarë në çdo degë të makinerisë shtetërore dhe ku një grup burokratësh apo politikanësh të paaftë dhe të korruptuar abuzojnë me paratë publike.

Në të vetmen periudhë kur Shqipëria aplikoi disa politika të djathta ekonomike (2005-2009) vendi njohu zhvillim ekonomik domethënës dhe reduktim të nivelit korrupsionit. Braktisja e këtij kursi për një shtet më të madh ka prodhuar ekonomi oligarkike të përqëndruar në duart e pak njerëzve. Këto politika nuk zgjerojnë ekonominë dhe lirinë, por shfrytëzojnë shtetin për pasurim të shpejtë dhe pa rreziqe për ‘sipërmarrjen’. Ndërsa ekonomistët e shkollës marksiste shpesh a kanë quajtur këtë model kapitalizëm shtetëror, në fakt nuk është asgjë më shumë sesa një sistem oligarik. Në librin “Kushtetuta e Lirisë” Hayek argumenton në mënyrë bindëse se pa shtet të së drejtës dhe liri individuale nuk mund të këtë sipërmarrje të lirë. Përndryshe kjo rezulton në shtypje (serfdom).

Rritja e borxhit publik të Shqipërisë në afër 90% të GDP-së në 10 vitet e fundit për të financuar koncensione (jashtë logjikës së djathtë e cila mbështet koncensionet kur rrisqet dhe investimi ndërmerret nga privati) ka hedhur në erë financat e vendit. E djathta e qendrës kudo në botë (konservatorët në Britani nën  Margaret Theçer dhe David Comeron apo CDU nën Helmut Khol dhe Angela Merkel në Gjermani) ka promovuar përgjegjshmërinë fiskale, borxh të ulët publik dhe investime në sektorë strategjik (infrastukturë, edukim) të cilat gjenerojnë rritje ekonomike. Në sajë të këtyre politikave, Britania dhe Gjermania hynë në një kurs zhvillimi ekonomik për disa dekada.

Mirëpo ‘shteti i vogël’ nuk është qëllim në vetëvete për qendrën e djathtë. Ajo nuk është krejt kundër rolit të shtetit në jetën ekonomike sepse as Ronald Regan dhe Margaret Theçer nuk ishin. Por ky rol për qendrën e djathtë kufizohet tek investimet në ruatjen e rendit publik dhe sigurisë kombëtare, në modernizimin e infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë për të krijuar hapësira për inovacion, kapital njerëzor dhe investime që zmadhojnë tortën (pasurinë kombëtare).

Veçanërisht në Shqipëri kjo është domosdoshmëri. Rikthimi i financave publike në normalitet, forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, mbrojtes dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore, portuale, dhe hekurudhore (imagjinoni një hekurudhë Durrës-Tiranë-Shkodër-Prishtinë dhe Tiranë-Fier-Vlorë-Sarandë-Korcë), investime në arsimin publik dhe privat dhe në shëndetësi do të çlironin energji ekonomike të jashtëzakonshme. E djathta e moderuar ka treguar se din t’i arrijë këto objektiva nëpërmjet konsenusit në qendër me aktorët e tjerë politik të përgjegjshëm që vijnë nga e qendra e majtë.

II. Institucione të Forta

Krijimi i një modeli ekonomik konkurues dhe të lirë nuk mund të bëhet pa shtet të së drejtës dhe forcimin e institucioneve demokratike. Sulmi që i bëhet në Shqipëri organeve të drejtësisë (sado joperfekte të jenë ato) është reminishencë e kulturës bolshevike. Shteti i së drejtës dhe rendi publik janë shtylla kurrizore e qendrës së djathtë. Prandaj, një alternativë e tillë do të mbështeste pavarësinë dhe punën e institucionve të drejtësisë si garant të lirive të të gjithëve. Kjo do të thotë të pranosh verdiktin e gjykatave edhe kur ato nuk të konvenojnë politikisht, sepse pa institucione funksionale dhe të pavarura shoqëria shpërbëhet dhe zhytet në kaos. Garantimi i asaj që filozofi britanik Isaiah Berlin e quante liri negative, liria nga autoriteti është në themel të filozofisë së qendrës së djathtë.

Shipëria nuk mund të izolohet pas tre dekadash tranzicion, e as të zhytet nën tiraninë e masave populiste të silat kërkojnë zgjidhje të thjeshta për pobleme komplekse. Rreziku që mund t’i kanoset Shqipërisë nga minimi i shtetit të së drejtës për interesa politike të ditës është evident në fazën tranzitore që po kalon vendi nga goditja e kulturës së pandëshkueshmërisë. Ndërsa Shqipëria tenton të bëjë hapa në drejtim të integrimit europina, populizmi politik dhe identitar mund të shëndërrohet shumë shpejt në anti-europian siç ka ndodhur në disa vende antare të BE. Antarësimi në BE është në interesin kombëtar të vendit, pasi ulet në tryezën e të mëdhenjve dhe ka mundësi të këtë pjesën e vet të përfitimit dhe përgjegjësisë. Mbështetja ndaj institucionve demokratike, rendit, sigurisë dhe shtetit të së drejtës është jetik në këtë proces. Nëse qendra e djathtë e humb shikimin drejt BE, rreziku është që forca të tjera të shikojnë nga lindja dhe regjimet autokratike.

III. Nga e Djathta në Qendër

Sfidat me të cilat përballen shoqëritë pluraliste janë shumëdimensionale. Vendimarrja politike nuk i kënaq dot të gjitha nevojat dhe aspirtat e njerëzve që vijnë nga klasa ekonomike të ndryshme apo kanë përkatësi fetare, etnike apo kulturore të kundërta. Burimet (paratë) janë gjithnjë në mungesë, prandaj vendimarrjet politike për shpërndarjen e tyre gjithmonë do të ndihmojnë një pjesë në kurriz të pjesës tjetër. Qendra e djathtë përpiqet ta adresojë këtë problem duke balancuar dhe me përgjegjshmëri përfitimet për pjesën më të madhe të shoqërisë dhe disavantazhet që një apo disa politika publike krijojnë për një grup të vogël njerëzish. Pra, qendra e djathtë nuk është e pashpirt siç mundohen ta karikaturojë e majta. Ajo përpiqet të ruajë balancat dhe krijojë mundësi për të gjithë duke shmangur varësinë e individit tek shteti apo çdo lloj autoriteti që vjen nga lart.

Gjetja e kësaj vije të mesme mes përfitimeve dhe humbjeve ka qenë një nga shqetësimet qendore të qendrës së djathtë. Kritikës së kush qëndron në mes të rrugës rrezikon të shtypet, të djathtët e qendrës i janë përgjigjur se pozicionimi në mes nuk është me rrezik përsa kohë rruga është me dy korsi. Liberalët e djathtë janë të vetëdijshëm se kompromisi në qendër, moderimi, prudenca dhe respekti për të ndryshmin janë domosdoshmëri në një shoqëri demokratike dhe pluraliste. Kësisoj ato janë të prirur drejt konsensusit dhe dialogut me kundërshtarin politik, çka sjell stabilitet politik, paqe sociale, zhvillim demokratik dhe ekonomik.

Rrëshqitja në gjuhë përçarëse dhe polarizuese e klasës së vjetër politike në Shqipëri ka minuar zhvillimin dhe dialogun, duke i pozicionuar shqiptarët në kampe antagoniste ose me mua ose kundër meje. Burimet shtetërore janë ndarë dhe ndahen në bazë partiake dhe klanore. Ndërkohë, si një komb i vogël, shqiptarët kanë nevojë të jenë të bashkuar, në harmoni dhe paqe me njëri-tjetrin. Fryrja e borive të ndasive me karakater fetar, kulturor, krahinor apo politik, kur nuk ka vend për ndasi entike, ka rezultuar katastrofike për çdo komb që e ka përqafuar. Nëse e djathta e qendrës i lë hapësirë bosh këtyre rrymave, Shqipëria do të përfundojë në kaos dhe dëshpërim.

IV. Interesi Kombëtar

E djathta qëndron natyrshëm për kombin dhe interesin kombëtar. Historia e shkurtër e shtetit shqiptar ka treguar se djathta udhëhiqet nga interesi kombëtar. Një alternativë moderne e qendrës së djathtë do të ndërtonte një politikë të jashtme dhe të sigurisë që shikon përtej hundës së vet dhe pushtetit të ditës.

Shqiptarët së bashku me grekët dhe serbët janë kombi më i rendësishëm në Ballkan. Pavarësia e Kosovës, qasje shtetformuese në Maqedoninë e Veriut, dhe forcimi i faktorit politik shqiptar në Mal të Zi janë arritje që nuk duhen nënvlerësuar duke pasur parasysh kushtet e tmerrshme kufizuese ku ka vepruar kombi shqiptar prej më shumë së një shekulli. Por ndryshimet gjeopolitike nga zhvendosja e rendit ndërkombetar nga momentumi njëpolar drejt një bote me shumë qëndra pushteti, rikthimi i përdorimit të forcës për qëllime politike, e ka bërë më të pa parashikueshme sjelljen e shteteve dhe paqen më të pasigurt.  Rrëshqitja në retorikë boshe nacionaliste pa një projekt të përbashkët konkret ku synohet forcimi ekonomik, demokratik dhe ushtarak i pjesëve të kombit është si të qëllosh veten në kokë.

Një projekt i djathtë politik nuk duhet të ngurojë të forcojë bashkëpunimin vëllazëror mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke bashkërenduar politikën e jashtme dhe sigurisë me Prishtinën. Rreziku që i paraqitet Kosovës nga ideja e Serbisë së madhe duhet ndalur përmes një politike bashkëpunimi dhe denoncimi në kancelaritë perëndimore. Ideja se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete shqiptare jonatyrale nuk duhet të vdesë për hirë të progresizmit ndërkombëtar. Askush nuk na ndalon sot të forcojmë komunikimin kulturorë, bashkëpunimin ekonomik nëpërmjet një dogane dhe tregu të përbashkët, dhe koordinimin politik me Kosovën.

Ndërsa të dy vende ecin drejt integrimit euroatlantik, palët duhet të kenë gjithnjë një plan B i cili aktivizohet menjëherë nëse gjërat shkojnë tmerrësisht keq në Europë. Por kjo nuk mund të bëhet me dy shtete të dobëta ekonomikisht, faktor politik shqiptar të përçarë dhe qeverisje autoritare. Duhet forcë ekonomike, ushtarake dhe politike, si dhe sharm bindës nesë koha do ta bëjë domosdoshmëri bashkimin kombëtar. Kjo nuk mund të bëhet me elitë të korruptuar dhe retorikë përçarëse, por nëpërmjet konsensuit në qendër me të gjithë faktorët politik të përgjegjshëm.

Në rrethana të tilla është urgjente që e djathta e moderuar të fitojë terren në hapësirën politike shqiptare. Një artikulim e tillë do të ishte garanci kundër populizimit dhe ndasive të mundshme identitare dhe partizane në një vend që i ka të gjitha por që rrezikon të mbytet në pusin e shtëpisë së vet.

Comments

Popular posts from this blog

Ndikimi i Trump 2.0 në Shqipëri

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka të gjithë përbërësit për të shkaktuar ndryshime të mëdha politike në të gjithë botën. Lëvizjet sizmike të pllakës më të madhe politike në planet do të kenë efekte pasgoditëse në rajone, fusha dhe çështje të cilat ishin çimentuar në tre-katër dekadat e fundit nga konsensusi në qendër mes të majtës dhe të djathtës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në këtë konstelacion, me peshë krejt të papërfillshme, ndodhet edhe Shqipëria. Në skemën e madhe të politikës Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e vagonit në trenin perëndimor pasi nuk ka as fuqi politike, ekonomike apo ushtarake për të vepruar si shtet sovran në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, platfroma ‘Amerika e Para’ e presidentit Trump ka gjasa të zhbëjë shumë nga linjat trandicionale politike në botë. Ndryshe nga hera e parë në zyrë, Trump ka mbledhur rreth vetes njerëz që besojnë tek idetë e tij dhe janë të gatshëm të marrin akte të forta pa shumë pyetje. Qysh në ditën e pa...

Si po e ‘vret’ shpresa Shqipërinë

Shpresa është ndoshta termi më i përdorur në diskursin politik. Udhëheqësit evokojnë shpresën në rrethana të ndryshme. Strategjistët e fushatave elektorale ndërtojnë platforma komunikimi rreth shpresës për një të ardhme më të mirë. Mediat dhe komentatorët politik diskutojnë për thyerje epokash në rast ndryshimesh politike tektonike ose zhytje në mjerim në mungesë të saj.  Me rënien e murit të Berlinit në 1989 dhe tranformimet politike pasuese në bllokun lindorë, kishte shpresa të mëdha se e ardhmja i përket shoqërive të lira. Jo rastësisht ‘Fundi i Historisë’ së Francis Fukujamës i cili argumenton se demokracia liberale e ka fituar njëherë e përgjithmonë betejën me sistemet e tjera politike dhe se një botë tjetër e begatë nuk ka të ndalur u botua menjëherë pas fundit të luftës së ftohtë.  Ideja se një kohë e re plot shpresë për të ardhmen kishte aguar u përqafua edhe në Shqipëri me rënien e sistemit komunist. Thirrja e studentëve ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa’ mishëron b...