Skip to main content

Kosova duhet të ringjallë politikën e njohjeve

 OP-ED

Kosova duhet të ringjallë politikën e njohjeve

Altin Gjeta 

Brenda një harku kohor prej dy javësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se mundësia e një konflikti të hapur me Serbinë është rrezik real. Ndryshe nga parashikimet fillestare pas agresionit rus në Ukrainë, vëmendja e komunitetit ndërkombëtar ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe Kosovës në veçanti, nuk ka njohur ndonjë ndryshim thelbësor. Në këtë kontekst, kryeministri i Kosovës po i bie ziles së alarmit që të kthejë vëmendjen e faktorit perëndimor nga Kosova, e cila është izoluar ndërkombëtarisht, pa liberalizim vizash me BE-në dhe pa njohje të reja që prej vitit 2020, kur u njoh nga Izraeli falë marrëveshjes së Uashingtonit. 

Dalja nga izolimi kërkon që Kosova, krahas dialogut për normalizimin e marrdhënieve me Serbinë, të ringjallë politikën e shtimit të njohjeve, në një kontekst ndërkombëtar të favorshëm pas gjunjëzimit të Rusisë në Ukrainë. 

Megjithëse dialogu mbetet i rëndësishëm, kyçja në dialogun e Brukselit sikur të ishte “plumb i artë” për shtetësinë e Kosovës, në një kohë kur prej më shumë se një dekade nuk ka arriur qëllimin final, njohjen reciproke me Serbinë, do të ishte një gabim strategjik për Kosovën.

Dialogu, përveçse ka prodhuar marrëveshje të diskutueshme si krijimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, i ka shpenzuar shumë energji Kosovës dhe e ka mbajtur çështjen e shtetësisë së saj të hapur. Tashmë është e qartë se diplomacia e dykuptimësisë dhe hapave të vegjël të Brukselit nuk adreson nevojën emergjente të Kosovës për t’u bërë pjesë integrale e komunitetit të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Edhe pas qasjes së butë të Serbisë ndaj Rusisë, politika e Perëndimit mbetet tek ideja e ankorimit të Serbisë në bllokun perëndimor. Këtë synim e bëri të qartë në një intervistë të fundit për Këshillin e Atlantikut, Ambasadori i SHBA në Beograd, Christopher Hill, i cili theksoi se politika jonë është ta kthejmë Serbinë kah Perëndimi.

Prandaj, nuk mund të pritet një politikë energjike presioni nga SHBA dhe BE ndaj Serbisë. Faktori shqiptar duhet të kuptojë se politika amerikane nuk sillet rreth tij, por rreth interesave gjeostrategjike në një kontekst më të gjerë se Ballkani.  

Bash për këtë, politika e njohjeve duhet të ringjallet nga politika e jashtme e Kosovës në një moment kur Serbia është e njollosur ndërkombëtarisht për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Për më tepër, Rusia, aleatja më e rëndësishme e Serbisë në OKB dhe në marrdhëniet ndërkombëtare është zhytur në baltën e Ukrainës, dhe qëndron më e dobët se kurrë në arenën ndërkombëtare. 

Ky është një moment i rëndësishëm që duhet shfrytëzuar nga politika e jashtme e Kosovës në dy plane:

Së pari, duke lobuar te faktori perëndimor dhe te shtetet që nuk e kanë njohur, për shtimin e njohjeve në arenën ndërkombëtare. Për shembull, afrimi me Greqinë është një shembull pozitiv që mund t’i hapë rrugë njohjeve të reja. 

Së dyti, duke diskredituar imazhin e Serbisë si një shtet që ka kryer genocid në Ballkan, që përbën rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe që nuk ndjek politikën perëndimore të sanksioneve ndaj Rusisë.

Për të shtuar njohjet dhe forcuar shtetësinë e saj, Kosova duhet të mësojë nga historia jo fort e largët. 

Pas çlirimit të vendit nga trupat ndërkombëtare të NATO-s në 1999, faktori ndërkombëtar e vonoi zgjidhjen e statusit përfundimar për rreth tetë vite. Sipas studiuesit të Ballkanit, James Ker-Lindsay, ky ka qenë ndoshta edhe gabimi më i madh i Perëndimit në Kosovë. Në një kohë kur Rusia, aleatja e vetme e rendësishme e Rusisë, sapo kishte dalë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ishte e zhytur në krizë ekonomike dhe e pasigurt në arenën ndërkombëtare, Perëndimi, në kulmin e fuqisë së vet, nuk veproi shpejt në Kosovë, në mënyrë që ta impononte pavarsinë dhe shtetësinë e Kosovës në një moment të volitshm ndërkombëtarisht. 

Pas njëzet vitesh, me Rusinë me duar të zëna në Ukrainë dhe Serbinë e diskredituar si aleatja e saj e vetme në Europë, është momenti që politika e jashtme e Kosovës të tregohet pragmatiste, vizionare dhe dinamike. Në mungesë të progresit të dukshëm në procesin e dialogut të Brukselit, Prishtina duhet të rikalibrojë politikën e jashtme drejt njohjeve të reja.

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me q ë llim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore. Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri. Por,...

KUR PD TAKON ELEFANTIN

Si të kuptosh trupin politik? Objektivi kryesor i partive politike është të fitojnë zgjedhjet dhe qeverisin. Vetëm kjo do t'i mundësojë një organizmi politik të vendosë në jetë programin elektoral, mbështesë shtresat shoqërore që përfaqëson dhe të sjellë trofe politik tek mbështetësit. Pra, partitë politike duhet të shmangin me çdo kusht humbjen e zgjedhjeve. Sigurisht shkalla e humbjes varion: çfarë është humbje, për shembull për një parti nuk është për një tjetër. Nëse merr pjesë për herë të parë në zgjedhje, fitimi i disa ulësve në parlament është fitore. Por nëse je një nga partitë krysore të sistemit politik dalja apo qëndrimi në opozitë është padyshim disfatë elektorale. Humbja e zgjedhjeve nga Partia Konservatore në Britani, Partia Demokratike në SHBA dhe së fundi nga Social-Demokratët në Gjermani përbën një moment thyrje në jetën politike të këtyre partive. Humbja shoqërohet me kriza të brendshme, avullim të fondeve si pasojë e largimit të donatorëve, zhgënjim dhe largim ...