Skip to main content

Pasqyra e thyer ku PD nuk shikon dot vetveten

Pasqyra e thyer ku PD nuk shikon dot vetveten 

Nga Altin Gjeta

Fill pas zgjedhjeve të 25 prillit kam argumentuar se Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet me mjete parapolitike. Prandaj kam qenë i mendimit se Partia Demokratike si fillim do të duhej të analizonte zgjedhjet duke marrë në konsideratë edhe mendimet dhe gjetjet e faktorëve shoqëror jashtë PD-ës pasi zgjedhjet nuk janë domen ekskluziv i partive politike, mandej në një fazë të dytë të bënte analizën e brendshme. Kjo do ta ndihmonte atë të mbante të fokusuar vëmendjen e opinionit publik tek problemi kryesor i tranzicionit shqiptarë, deformimin e zgjedhjeve, mekanizmit kryesor të një demokracie elektorale, si dhe kuptonte më mirë gabimet e saj para dhe gjatë fushatës së 25 prillit.

Mirëpo, shqetësimin e opozicionit dhe një pjese të madhe të shoqërisë në Shqipëri mbi rënien e zgjedhjeve, zoti Basha e kapitalizoi për të mbyllur punët shpejt e shpejt me lidershipin e partisë pa paraqitur asnjë ide apo platformë të re sesi do ta drejtonte ndryshe PD-në. Përkundrazi, ai e mbyti debatin e brendshëm duke i ndarë edhe më shumë demokratët në transhe pro dhe kundër asaj që ai e quan masakër elektorale. Sipas Bashës çdo mendim alternativ mbi zgjedhjet, paradoksalisht akoma pa i analizuar dhe pa pritur ankimimet e PD-së pranë institucioneve përkatëse i shërbente Ramës. Nxitimi për të mbajtur zgjedhjet brenda partisë pa u tharë mirë boja në fletët e votimit cenoi standardet e garës, në njëfarë mënyre legjitimoi dhe zhvendosi vëmendjen e opinionit publik nga zgjedhjet e 25 prillit si dhe shpalli të paprekshëm edhe të pagabueshëm zotin Basha. 

Në këtë kuptim, Kuvendi Kombëtar ishte konfirmim i kësaj dialektike, e cila e sheh problemin vetëm tek kundërshtari. Bash këtu duhet kërkuar edhe pafuqia dhe paaftësia e PD-së për të kuptuar veten dhe rrjedhimisht për t’u vetëkorrigjuar. Kapja përthonjsh pas masakrës elektorale të Ramës përveçse është një qasje disfatiste, nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si korracë për të mos hapur dhe pastruar plagët që fshihet poshtë trupit të PD-së. Po aq sa është e vërtetë se PS-ja i akaparoi zgjedhjet me mjete parapolitike, po aq e vërtetë është se PD nuk arriti t’i fitojë ato pasi mes saj dhe publikut ka një krisje të madhe besimi. 

Fraktura e besimit mes shoqërisë shqiptare dhe PD-së rrotullohet rreth pamundësisë së kësaj të fundit për t’iu paraqitur shqiptarëve si një alternativë krejt ndryshe nga PS-ja, një parti që nuk shikon prapa siç ka bërë PD nën drejtimin e Bashës, por një parti që është largpamëse (forward looking) e cila reflekton dhe adreson ndryshimet socio-politike, ekonomike dhe demografike që ka pësuar shoqëria shqiptare gjatë dekadës së fundit. Në një shoqëri të zhgënjyer dhe të lodhur masivisht nga politika dhe ‘demokracia’ e cila nuk ka prodhuar frytet e pritura, PD gjatë këtyre tetë viteve nuk ka arritur të bëjë thyerjen e madhe me kundërshtarin politik dhe të shkuarën. Edhe kur ajo ka tentuar ta bëjë ka shpërfaqur mospërputhje kërcitëse mes verbit dhe akteve.

Duhet ta themi se PD nuk e mundi dot Ramën sepse nuk i’a ka mbërrite të prodhojë politikë. ‘Rama ik’ nuk është politikë. Sa më shpejt ta kuptojë dhe pranojë këtë, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e saj politike. “Nuk mund të mundësh diçka me asgjë. Një plan i keq mund të mundet vetëm duke treguar se ke një alternativë më të mire”, thotë nobelisti në ekonomi, Joseph Stiglitz. Në tetë vite opozitë PD ka arritur t’i imponohet qeverisë dhe shoqërisë vetëm me ligjin e dekriminalizmit. Aktet e saj ka qenë më së shumti reaktive, duke vrapuar pas çdo ngjarje për kapital politik saqë herë-herë të duket se PD është OJQ dhe jo parti politike e cila duhet të udhëheqë opinionin publik me teza politike. Monopolizimi i opozicionit, rendja për të folur dhe denoncuar gjithçka jo vetëm ka përmbytur ishuj të tjerë opozicioni të cilët do ta forconin bllokun opozitar dhe do ta bënin atë më përfaqësues në sytë e opinionit publik, por ka marrë mbi vete edhe koston e dështimit të këtyre kauzave (Teatri, Unaza, Protestat e Studentëve) përballë një regjimi autokratik si i Ramës. 

Sikur të mos mjaftonte kjo, komunikimi politik i PD ka mbetur peng i gjuhës së viteve 90-të. Ajo nuk ka mundur t’i flasë shoqërisë por vetëm militancës së vet. Partia Demokratike nuk ka kuptuar se kjo gjuhë nuk i thotë asgjë sfidave dhe ëndrrave të një gjenerate të rinjsh që kanë lindur në fillim të viteve 2000, e cila në zgjedhjet e ardhshme do të jetë një masë prej të paktën 300 mijë zgjedhësish. Gjuha e drunjtë dhe uniforme e  funksionarëve të lartë të partisë dhe koncepti total i PD mbi popullin nuk ia ka dalë të depërtojë tek nënshtresat sociale, të paangazhuarit dhe elita e vendit të cilët përbëjnë masën kritike të njerëzve që sjellin në pushtet një parti politike. 

Përkundër çfarë pritet nga një opozitë, PD e ka humbur kontaktin me shoqërinë shqiptare, madje edhe me anëtarësinë e partisë dhe elitën akademike dhe mediatike rreth saj. Kjo shpjegon edhe faktin sesi ajo nuk ka rritur të reflektojë realitetet fluide, gjithnjë e ndryshim të shoqërisë në diskursin e saj publik dhe në proceset e saj të brendshme. Kjo ka ardhur si pasojë e lidership kaotik dhe kapsulimit të partisë në duart një burokracie partiake të vetëmjaftueshme, të paaftë dhe servile – e cila ka bërë rezistence ndaj çdo rinovimi vetëm për hir të ruajtjes së karrigeve të tyre në parti. Paradigma udhëheqëse e PD-së nga maja në bazë nuk ka qenë nevoja e ardhjes në pushtet nëpërmjet hapjes dhe vendosjes së një komunikimi me shoqërinë në interes të ndërsjelltë, por siç e tha edhe Mark Marku dje në Kuvendin Kombëtar, PD është mjaftuar me dëshirën e saj të brendshme për të ardhur në pushtet. Këtu duhet kërkuar edhe arsyeja se pse PD nuk arriti në asnjë moment të hapej as brenda gardhit të vet ku ka burime njerëzore të jashtëzakonshme. Një distancë të tillë me shoqërinë dhe vetveten nuk mund të mbyllej në 30 ditë fushatë elektorale. 

Për rrjedhim, nga mënyra sesi i është qasur këtyre problemeve, PD nga partia e studentëve dhe e mendimit avangard, që hapi Shqipërinë me botën demokratike, sot është shndërruar në një parti të vjetër, obskure dhe pa mendim në përbërje, formë dhe mentalitet. Nëse një parti nuk është në gjendje të ndryshojë vetveten dhe të demokratizohet, ajo nuk mund të pretendojë të ndryshojë dhe demokratizojë shoqërinë. Pafuqia e saj për t’u vetëkorrigjuar dhe reflektuar realitetet e socio-politike shqiptare rrezikon ta paketojë PD-në për shumë vite në opozitë. 

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Ndikimi i Trump 2.0 në Shqipëri

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka të gjithë përbërësit për të shkaktuar ndryshime të mëdha politike në të gjithë botën. Lëvizjet sizmike të pllakës më të madhe politike në planet do të kenë efekte pasgoditëse në rajone, fusha dhe çështje të cilat ishin çimentuar në tre-katër dekadat e fundit nga konsensusi në qendër mes të majtës dhe të djathtës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në këtë konstelacion, me peshë krejt të papërfillshme, ndodhet edhe Shqipëria. Në skemën e madhe të politikës Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e vagonit në trenin perëndimor pasi nuk ka as fuqi politike, ekonomike apo ushtarake për të vepruar si shtet sovran në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, platfroma ‘Amerika e Para’ e presidentit Trump ka gjasa të zhbëjë shumë nga linjat trandicionale politike në botë. Ndryshe nga hera e parë në zyrë, Trump ka mbledhur rreth vetes njerëz që besojnë tek idetë e tij dhe janë të gatshëm të marrin akte të forta pa shumë pyetje. Qysh në ditën e pa...

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me q ë llim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore. Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri. Por,...