Skip to main content

Kriza e PD, simptomë e krizës së sistemit politik

 

Kriza e PD, simptomë e krizës së sistemit politik

nga Altin Gjeta

“Partia Demokratike gjendet në momentin më kritik në historinë e saj 30-të vjeçare”. Kështu janë shprehur figura të rëndësishme brenda partisë dhe vëzhgues të jashtëm të jetës politike në Shqipëri. Në plan të parë burimi i krizës së PD-së gjendet tek humbja e zgjedhjeve të 25 prillit dhe shpallja persona non-grata nga Departamenti i Shtetit (DASH) të Sali Berishës, themeluesit dhe liderit që ka shënjuar historinë e partisë në opozitë dhe pushtet për më shumë se dy dekada.

Humbja e zgjedhjeve në krye të tetë viteve opozitë ishte një goditje e fortë për PD-në dhe opozicionin shqiptarë në tërësi. Në terrenin parapolitik, parademokratik dhe parakapitalist ku operon Shqipëria prej tri dekadash shteti është shndërruar në aktorin dhe burimin kryesor ekonomik në vend. Kësisoj, kush zotëron pushtetin akaparon shtetin dhe pjesën e luanit në ekonomi, edukim, shëndetësi, punësim, e kështu me rradhë. Fitorja e mandatit të tretë rradhazi nga Partia Socialiste (PS) e ka lënë PD-në jashtë këtij modus operandi.

Nga ana tjetër, përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar prishi status quo-në në parti. Lulzim Basha e ka legjitimuar qëndrimin e tij në krye të PD-së për tetë vite nga mbështetja herë e hapur, herë nën heshtjen dualiste të Berishës. Goditja e këtij të fundit nga DASH dhe mandej nga vetë Basha nxorri në pah marrëdhënien problematike mes tyre, e cila kishte lënë në hije dobësitë strukturore të partisë dhe gabimet e njëpasnjëshme, si përjashtimi i figurave me peshë në 2017, dalja nga sistemi politik, shkëputja e lidershipit të Bashës nga antarësia dhe elita intelektuale rreth PD-së, si dhe mbajtja e proceseve të brendshme zgjedhore fasadë.

Megjithatë, përpjekja për ta lokalizuar këtë krizë vetëm te dera e PD-së është e gabuar dhe nuk merr në konsideratë strukturën dhe realitetet politike ku ajo operon. E vërteta është se PD-ja po manifeston një pjesë të krizës së sistemit politik, sepse në këtë çast ajo duket se është hallka më e dobët e zinxhirit të ndryshkur politik të Shqipërisë post-komuniste.

Gjatë këtyre viteve Shqipëria nuk ia ka dalë në asnjë moment të instalojë një sistem demokratik funksional. Para së gjithash elita politike post-komuniste ka dështuar me vetëdije të ndërtojë një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional. Shteti i së drejtës është mekanizmi kryesor që garanton jo vetëm mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit në një shoqëri demokratike, por bën të mundur balancimin e pushteteve, kontrollon dhe mban përgjegjës abuzuesit me pushtetin. Kështu, drejtësia shërben si një valvul sigurie që kanalizon tensionet sociale dhe politike duke garantuar qarkullimin e elitave dhe qeverisje më të përgjegjshme.

Në mungesë të shtetit të së drejtës, institucioni i zgjedhjeve mund të shërbente si mekanizëm kontrolli dhe rregullatori të pushtetit dhe jetës së brendshme të partive politike. Mirëpo, zgjedhjet në Shqipëri janë minuar në çdo qelizë dhe nivel. Gjetjet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 25 prillit, si përdorimi burimeve shtetërore nga PS-ja për fushatë, blerja e votës dhe patronazhimi i votuesve janë vetëm maja e ajsbergut në detin e madh të manipulimit kirurgjikal të vullnetit të zgjedhësve.

Kontestimi i zgjedhjeve iu ka dhënë alibi kryetarëve të ruajnë pozitat e tyre brenda partive politike duke përdorur pothuajse të njëjtat metoda që përdor partia në pushtet. Kjo ka minuar besimin e qytetarëve te politika, ka bunkerizuar partitë politike duke i shndërruar në institucione politike ekskluzive. Sipas studiuesve Acemoglu dhe Robinson arsyeja themelore pse kombet dështojnë qëndron në faktin se ato krijojnë institucione politike dhe ekonomike të mbyllura. Ky model sipas tyre prodhon mjerim social dhe ekonomik, si dhe deprivon qytetarët nga liritë dhe të drejtat themelore. Në sistemet e mbyllura politike burimet ekonomike kontrollohen dhe vendosen në funksion mbajtjes në pushtet dhe pasurimit të një grushti njerëzish në kurriz të shumicës së lënë jashtë.

Në rrethanat ku ndodhemi, gjasat që Shqipëria të ndërtojë një sistem drejtësie funksional dhe të pavarur në një kohë afatshkurtër janë të pakta. Prandaj, mekanizmi i vetëm që mund të hapë sistemin politik janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në nivel brendapartiak dhe politik. Pa kaluar në këtë shteg, Shqipëria do vijojë të prodhojë kriza ciklike me pasoja shkatërrimtare për vendin. Kriza që ka mbërthyer PD-në sot është veçse një nga simpotmat e kalbjes së të gjithë sistemit politik post-komunist. Pa garantuar mekanizmin e votes dhe garës së vërtetë nuk ka rrugëdalje nga dara e autokracisë as për PD-në as për vendin.

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Ndikimi i Trump 2.0 në Shqipëri

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka të gjithë përbërësit për të shkaktuar ndryshime të mëdha politike në të gjithë botën. Lëvizjet sizmike të pllakës më të madhe politike në planet do të kenë efekte pasgoditëse në rajone, fusha dhe çështje të cilat ishin çimentuar në tre-katër dekadat e fundit nga konsensusi në qendër mes të majtës dhe të djathtës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në këtë konstelacion, me peshë krejt të papërfillshme, ndodhet edhe Shqipëria. Në skemën e madhe të politikës Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e vagonit në trenin perëndimor pasi nuk ka as fuqi politike, ekonomike apo ushtarake për të vepruar si shtet sovran në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, platfroma ‘Amerika e Para’ e presidentit Trump ka gjasa të zhbëjë shumë nga linjat trandicionale politike në botë. Ndryshe nga hera e parë në zyrë, Trump ka mbledhur rreth vetes njerëz që besojnë tek idetë e tij dhe janë të gatshëm të marrin akte të forta pa shumë pyetje. Qysh në ditën e pa...

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me q ë llim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore. Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri. Por,...