Skip to main content

Zgjedhjet parapolitike te 24 prillit

 

Mbi zgjedhjet parapolitike të 25 prillit: në fillim analiza e tyre,

Altin Gjeta

Zgjedhjet e 25 prillit kanë përfunduar. Partia Socialiste e Edi Ramës ka siguruar një mandat të tretë, ndërsa Partia Demokratike me Lulzim Bashën në krye nuk ia ka dalë as këtë herë të rikthehet në pushtet. Sipas maksimës së vjetër, sa jeta ndoshta, e cila na dikton se ‘në një garë gjykohet humbësi jo fituesi’, ka shpërthyer debati brenda PD mbi arsyet e humbjes së zgjedhjeve.

Sigurisht në rrethana normale, në një vend dhe rend me institucione dhe demokraci funksionale fillimi i një debati të tillë dhe përqendrimi i vëmendjes së opinionit publik rreth shkaqeve të humbjes së PD do ishte një dialektikë logjike post-zgjedhore. Por ratio na dëfton se Shqipëria nuk ka zhvilluar zgjedhje politike në një rend ku, siç theksojnë studiuesit e sistemeve politike Linz dhe Stepan ‘demokracia është bërë e vetmja lojë në qytet’.  Përpos të tjerave, mjafton të lexoni gjetjet e raportit i fundit të Freedom House për Shqipërinë sipas të cilit vendi ka rrëshqitur më tej drejt autokracisë si pasojë e përkeqësimit të qeverisjes qendrore, proceseve elektorale dhe lirisë së shtypit.

Në këto kushte, përkundër asaj që na dikton tradita e qasjes ndaj humbësit dhe fituesit, mendoj se interesi publik kërkon që analiza e zgjedhjeve të 25 prillit të nisë nga arsyet dhe faktorët që kanë çuar në fitoren e mandatit të tretë nga Rama. Kjo, besoj unë do të shtronte një taban më të shëndoshë logjik nga ku mund të nisë debati dhe analiza mbi arsyet e humbjes së PD dhe përgjegjësitë e lidershipit të saj.

Zgjedhjet e 25 prillit, përndryshe nga si duan t’i paraqesin fituesit janë zhvilluar dhe fituar në rrethana dhe me mjete parapolitike. Me parapolitikë studiuestit Cribb dhe Zaum kuptojnë tërësinë e rrjeteve dhe strukturave klandestine ku qëndron pushteti real – të lidhura, inkorporuara dhe kontrolluara nga elita sunduese, të cilat qëndrojnë të fshehura prapa fasadës së institucioneve shtetërore demokratike. Në këto kushte hapësira për të bërë politikë është tërësisht e minuar, dhe qartësish një ndërmarrje e destinuar të dështojë.

I vetëdijshëm për monstrën parapolitike që ka krijuar, kryeministri Rama nuk harxhoi as edhe një minutë të vetëm në fushatë për të bërë bilancin e punëve të qeverisë së tij, apo për të hartuar dhe shpalosur një program përpara qytetarëve. Sepse në një shoqëri parapolitike partia në pushtet, PS gjegjësisht, ka kapur shtetin dhe nëpërmjet shtetit ka kapur dhe korruptur moralisht dhe financiarisht shumicën e nevojshme të shoqërisë për të sunduar pjesën tjetër.

Kjo është jo pak, por e sigurt. Dhe provat empirike janë lehtësisht të dallueshme, jo vetëm nga mendjet e holla të hulumtuesve të politikës, por nga e gjithë shoqëria, e sjellja e deformuar e së cilës është edhe prova më flagrante. Sepse nuk ka si të shpjegohet fakti që PS u votëbesua edhe njëherë me një bilanc qeverisës katastrofik, arrogancë të hapur, e zënë gafil në skandale ndërkombëtare, korrupsionin e provuar endemik në çdo qelizë institucionale, koncensionet milionëshe për punë të pabëra, patronazhistët, Lamen që instruktonte punonjësit e shtetit si t’i mbanin me rrena shqiptarët që nuk do t’iu legalizohej shtëpia, flirtit me botën e nëndheshme dhe stanjacionin ekonomik dhe europian të Shqipërisë.

Për ata që argumentojnë se PD ishte alternativë për qytetarët, si e shpjegojnë faktin që një parti fantazëm si PSD, krytari i së cilës është sulmuar edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, arriti të merrte tre mandate, ndërsa Pano Soko dhe Endri Shabani nga Nisma Thurje p.sh nuk morën dot më shumë se 2000 vota në Tiranë? Apo se herësi në Tiranë nuk u thye, le të themi për shembull nga profesorë, aktivistë dhe politikanë karriere, por nga një i ri që as emrin nuk ia di dhe as e kam dëgjuar të flasë ndokund për politikë dhe interesin publik?

E pra, kjo nuk don as mend as kalem për të kuptuar se mekanizmat parapolitikë që ka ndërtuar PS në pushtet, si kapja e institucioneve në mënyrë kapilare, përdorimi i burimeve shtetërore për të financuar fushatën, punësimi masiv në shtet, përdorimi i administratës publike dhe presioni mbi të për qëllime elektorale, koalicionet e maskuara me persona me lidhje me botën e të fortëve, si dhe deformimi i kodit zgjedhor, pothuajse ia kanë siguruar fitoren PS akoma pa hyrë në garë. Në këto kushte duket se këto zgjedhje nuk kishin histori. 25 prilli provoi se gjasat që një apo disa parti politike të fitojnë një palë zgjedhje parapolitike janë pothuajse minimale.

Prandaj, gjykoj se, pasi të kemi shterruar faktorët dhe arsyet që e mbajtën PS në pushtet, PD dhe aktorë të tjerë shoqërorë me interes publik do ta kenë më të lehtë për të kuptuar se ku kanë gabuar dhe mandej të nxjerrin përgjegjësitë. Kjo do t’i jepte mundësi PD të kuptonte më mirë se çfarë duhet të ndryshojë në strategjinë e saj elektorale, ‘arsenalin e luftës’ dhe kalorësinë.

https://politiko.al/kryesore/mbi-zgjedhjet-parapolitike-te-25-prillit-ne-fillim-analiza-e-tyre-pasta-i435077?fbclid=IwAR2Zsz8PMOaD0bMMrKUEvzxcUk73uOxK7D9sZKeUd9kcz6WmSTWU5jH4NW4#.YJAeUEYwuv4.facebook

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me q ë llim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore. Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri. Por,...

KUR PD TAKON ELEFANTIN

Si të kuptosh trupin politik? Objektivi kryesor i partive politike është të fitojnë zgjedhjet dhe qeverisin. Vetëm kjo do t'i mundësojë një organizmi politik të vendosë në jetë programin elektoral, mbështesë shtresat shoqërore që përfaqëson dhe të sjellë trofe politik tek mbështetësit. Pra, partitë politike duhet të shmangin me çdo kusht humbjen e zgjedhjeve. Sigurisht shkalla e humbjes varion: çfarë është humbje, për shembull për një parti nuk është për një tjetër. Nëse merr pjesë për herë të parë në zgjedhje, fitimi i disa ulësve në parlament është fitore. Por nëse je një nga partitë krysore të sistemit politik dalja apo qëndrimi në opozitë është padyshim disfatë elektorale. Humbja e zgjedhjeve nga Partia Konservatore në Britani, Partia Demokratike në SHBA dhe së fundi nga Social-Demokratët në Gjermani përbën një moment thyrje në jetën politike të këtyre partive. Humbja shoqërohet me kriza të brendshme, avullim të fondeve si pasojë e largimit të donatorëve, zhgënjim dhe largim ...