Skip to main content

Kush qëndron mbrapa krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë?

Altin Gjeta

Konfirmimi i aktakuzës së Gjykatës Speciale të Kosovës për ish-kupolën drejtuese të UÇK-së, si dhe arrestimi i tyre pak më shumë se një javë më parë kaloi pa krijuar zallamahinë dhe sakëlldinë e pritshme në qendrat shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, pasi vëmendja e botës shqiptare qe përqëndruar te zgjedhjet jonormale përtej Atlantikut në SHBA. Ndërsa tymnaja e përplasjes së ‘botëve’ në ‘tokën e ëndrrave’ filloi të fashitej me kalimin e ditëve dhe zbardhjen e ngadaltë dhe të debatueshme të rezultatit elektoral në Uashington, opinioni publik shqiptar filloi të ftillohej mbi peshën e rëndë të ngjarjes që luhet në aksin Prishtinë-Hagë.

Megjithëse Gjykata Speciale qe ngritur në Kosovë që në gusht të vitit 2015 me miratimin kontravers të Kuvendit të Kosovës, duket se opinioni publik shqiptar u kap i papërgatitur nga forca e saj goditëse mbi lidershipin shqiptar të Kosovës. Sikur të mos mjaftonte kjo, Gjykata dhe EULEX (organizata e Bashkimit Europian për sundim të ligjit në Kosovë) u kujdes që aksionit t’i shtohej si garniturë edhe show i panevojshëm mediatik me bastisjen e shtëpive të të akuzuarve dhe transportin e tyre të menjëhershëm me avion special për në Hagë. 

E gjithë kjo panoramë dramatike ka ngritur pikëpyetje dhe debate mbi burimin e krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë dhe natyrën e saj, pasi për shumë syresh përzierja e ‘Speciales’ me Hagën dhe forca e saj goditëse, jo vetëm që nuk e ka davaritur konfuzionin, por e ka shtuar edhe më tej atë. Në këtë kontekst, është mëse normale që në opinion publik shqiptar të ngrihen pyetje dhe dyshime se kush qëndron mbrapa krijimit të Gjykatës Speciale.

Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit Special u ngrit në Kosovë në vitin 2015 nën presionin ndërkombëtar pas miratimit të raportit të Dick Marty në Asmablenë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili akuzonte UÇK-në për trafik organesh. Gjykata dhe Zyra e Prokurorit Special do të ushtronin juridiksionin e tyre mbi territorin e Kosovës dhe do të funksionojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës, por ajo do të vendoset në Hagë, do të ketë staf ndërkombëtar si dhe do të financohet nga SHBA dhe BE. Ndërsa objekt i saj është veprimtaria e dyshuar kriminale e eksponentëve të UÇK-së nga marsi 1998 deri në shtator 1999. 

Siç shihet pra, Gjykata dhe Zyra e Prokurorit Special është një mekanizëm juridik hibrid i cili sipas sponsorizueve të saj ka për qëllim zbardhjen e akuzave për krime lufte të UÇK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si një kusht themelor për t’u përballur me të shkuarën, çka sipas mbështetësve të drejtësisë tranzitore është pikënisje për ndërtimin paqes dhe pajtimit mes komuniteteve që dalin nga luftra të përgjakshme si ajo e Kosovës. 

Megjithatë, nga një lexim i kujdesshëm i aktakuzës dhe ‘raportit Marty’ vihen re disa probleme thelbësore në formulim dhe në thelbin e çështjes. Së pari, ka një mospërputhje kërcitëse mes akuzave të ‘raportit Marty’ për trafik organesh dhe aktakuzës së Prokurorit Special për krime të tjera lufte si trajtim ç’njerzor, ndalime të paligjshme, zhdukje dhe vrasje të personave. Pra, akuza kryesore për trafik organesh e ‘raprotit Marty’, mbi të cilën është votuar rezoluta në Këshillin e Europës ka rënë. Së dyti, gjuha e përdorur në aktakuzë nga Prokurori Special është më së paku fyese dhe joprofesionale për formimin e një trupe juridike si ajo Zyrës së Prokurorit Special. Etiketimi i UÇK-së si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale tregon mungesë njohurish historike të zhvillimeve të luftës në Kosovë. Dihet botërisht se UÇK filloi si një lëvizje guerrile vetëmbrojtëse e cila arriti të kthehej në një strukturë të organizuar ushtarake vetëm pas marsit të vitit 1998, kur forcat serbe masakruan të gjithë familjen Jashari në Prekaz. Për më tepër, aktakuza ka mungesë të referencave të tjera historike, si genocidi dhe spastrimi etnik i forcave serbe në Kosovë. 

Pra, për nga mënyra sesi është formuluar aktakuza, siç thotë edhe Anna Di Lellio, profesore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e New York-ut në SHBA, duket se ajo synon të revizionojë memorien tonë kolektive mbi ngjarjet që ndodhën në Kosovë në fund të viteve ‘90-të. Më së paku, edhe në rast se aktakuzat nuk provohen, procesi në vetvete do të çojë drejt relativizimit të mëtejshëm të genocidit të Millosheviqit në Kosovë dhe Ballkan. Në fund të kësaj historie, të gjithë do të jenë të njollosur dhe fajtorë, duke ridimensionuar kuptimin tonë mbi ngjarjet gjatë viteve ‘90-të në Ballkan, dhe vetë luftën e UÇK-së, e cila tashmë është pjesë e identitetit kombëtar shqiptar. Për rrjedhim, cënimi i saj, në mënyrë të padiskutueshme do të trondiste identitetin dhe kuptimin tonë mbi luftën e drejtë të UÇK-së dhe genocidin serb në Ballkan.  

Atëherë, lind pyetja, si ka mundësi që aleatët tanë perëndimorë, të cilët janë dhe aktorët e pavarsisë dhe shtetësisë së Kosovës i kanë hedhur foshnjës së tyre një lak të tillë në qafë? Për t’i dhënë përgjigje një pyetje të tillë substanciale gjykoj se është e rëndësishme që të dekonstruktojmë dy mite: ‘albanocentrizmin’, sipas të cilit bota sillet rreth shqiptarëve, dhe kultin e pagabueshmërisë së ndërkombëtarëve. Prej këtej, do të dalin edhe arsyet, aktorët dhe faktorët që kanë çuar në krijimin e Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit Special.

Së pari, krijimi i Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit Special në Kosovë, është produkt i gabimeve dhe dështimeve të vetë ndërkombëtarëve dhe klasës politike kosovare. Projekti shtet-ndërtues në Kosovë është një nga më ambiciozët që komuniteti ndërkombëtar ka ndërmarrë në botën e pas Luftës së Ftohtë. Ata kanë konstruktuar një formulë sui-generis për shtetësinë e Kosovës, një mirazh të shtetit perfekt perendimor që në fakt nuk ekziston as vetë në Perëndim. Kosova është projektuar si një shtet dhe demokraci multi-etnike, me të drejta të pazakonta në nivel qëndror dhe lokal për minoritetet të cilët të gjithë së bashku përbëjnë vetëm 7-8% të popullsisë. Kjo e ka kthyer Kosovën në një shtet diskfunksional, pasi vendimarrja në parlamentin dhe qeverinë e Kosovës, si dhe autoriteti i saj në Veri, pengohet nga minoranca serbe (Lista Serbe) e cila kontrollohet nga Beogradi. 

Nga ana tjetër, megjithë investimin e madh ndërkombëtar në kapital dhe burime njerëzore, klasa politike kosovare, jo vetëm që nuk ka plotësuar pritshmëritë e tyre, por e ka përdorur legjitimitetin ndërkombëtar për të çuar përpara axhendat e veta politike dhe ekonomike, deri diku me miratimin e heshtur të ndërkombëtarëve, në këmbim të bashkëpunimit të tyre në çështjet sensitive rajonale. Kjo ka bërë që shteti i Kosovës të mos progresojë siç duhet, prandaj ndërkombëtarët kanë vendosur të ndërhyjnë me mjete të tjera, në mënyrë që Kosova të mos përfundojë në një failed state (shtet të dështuar) si Afganistani, Iraku apo Timori Lindor.

Së dyti, duhet të kuptojmë se pas 20 vitesh që nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë, konteksti ndërkombëtar dhe raporti i forcave në botë ka ndryshuar. Në fund të viteve ‘90-të, SHBA ishin fuqia e padiskutushme e botës, kësisoj edhe inisiativat e saj në arenën ndërkombëtare nuk gjenin pengesa. Sot gjendja ka ndryshuar. Pozitat e SHBA dhe BE, dy mbështetësit kryesorë të Kosovës, janë lëkundur si pasojë e krizave të brendshme, si ajo financiare në 2008, Brexit, kriza e demokracisë liberale, multilaterizmit dhe rekordet e dobëta të paradigmës së ndërhyrjes humanitare, demokratizuese dhe shtet-ndërtuese në Afganistan dhe Irak. Nga ana tjetër, nëse në fillim të viteve 2000, Rusia dhe Kina, kundërshtarët tradicional të SHBA-e dhe BE-së, ishin akoma të dobët përballë fuqisë së Perëndimit, sot ato kanë peshë tjetër ekonomike dhe politike në botë. I gjithë ky rikonfigurim forcash, ka ndikuar edhe në procesin shtet-ndërtues në Kosovë, i cili që pas shpalljes së pavarësisë ka bërë hapa të ngadaltë në drejtim të integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe shtimit të njohjeve si shtet sovran. 

Së treti, kompleksiteti i faktorëve të mësipërm ka krijuar premisa të reja gjeopoltike në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Politikbërësit tanë në Prishtinë dhe Tiranë bëjnë mirë të kuptojnë se ato e kanë djegur momentumin shqiptar, që u krijua në rajon në fund të viteve ‘90-të deri në fund të dekadës së parë të shekullit 20 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ne duhet të mësojmë se marrëdhëniet ndërshtetërore sillen rreth interesave, jo dashurisë. Mendoj se nga viti 2010 e këtej, bota perendimore ka ndërruar kurs kundrejt Ballkanit, dhe Serbisë në veçanti. Nisja e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, produktet e tij, dhe të marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë këtë vit, tregojnë se Perëndimi tashmë kërkon të akomodojë Serbinë në aleancën e vet strategjike. Në këtë kuptim, ka shumë gjasë që edhe krijimi i Gjykatës Speciale të jetë vazhdim i kësaj politike me mjete të tjera. 

Andaj, gjykoj se në vend të përdorimit politik të aktakuzës së Prokurorit Special ndaj udhëheqjes së UÇK-së, lidershipi shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë duhet të lexojë me kujdes momentumin aspak të favorshëm ku gjendemi dhe të ndërtojë politika serioze në shërbim të forcimit ekonomik dhe politik të faktorit shqiptar në rajon. Dhe kjo bëhet më së pari duke ndërtuar shtete me ekonomi dhe demokraci të konsoliduar këtej dhe andej kufirit.

https://politiko.al/op-ed/kush-qendron-mbrapa-krijimit-te-gjykates-speciale-ne-kosove-dhe-a-e-kemi-h-2827?fbclid=IwAR20N68qEE0buNKNmiy-mVWF0t0HmlISgcFrS_jspnjbD2BuOeC7EfYeYLA#.X75id2QXyvl.facebook

Comments

Popular posts from this blog

Udhëtim në tri kohë

  Iu bashkova gjimnazit “Leonik Tomeo” diku në shtator të vitit 2004 pas një tentative të pasuksesshme për tu regjistruar në teknikumin ekonomik të Tiranës. Shkak për këtë aventurë të pasuksesshme dhe të dhimbshme u bë im atë. Ai ngulmoi se duhet të studioja ekonomi, pasi kjo sipas tij do të ishte njëlloj garancie për punësim në jetë.  Por unë nuk isha mirë me numrat. Vija nga një shkollë rurale ku mbizotëronte rrëmuja dhe preokupimi kryesor i mësuesve ishte disiplina në ambientet e shkollës. Megjithëse atëherë nuk pata asnjëlloj dëshire për të studiuar ekonomi, më vonë pas adoleshencës zhvillova një pasion të heshtur për politikën ekonomike, duke u bërë një lexues i dhënë pas Fridrik Hajek, ekonomistit liberal të shkollës së Vjenës. Gjithsesi, regjistrimi në shkollën e mesme  “Leonik Tomeo” ishte njëfar fillimi i ri. Vjeshta qe e ngrohtë atë vit, teksa rreshtoheshim për tu futur në klasë, dielli lëshonte rreze verbuese, por pasiguria për të ardhmen sikur ma ftohte tr...

Nevoja për të Djathtën: Disa Ide Qëndrore

  I. Modeli ekonomik (zgjerimi i lirisë) E djathta e qendrës është udhëhequr që nga koha e iluminizmit, e mandej në shekullin e XX (ekonomistët e shkollës së Vjenës Von Mises, Hajek, dhe Erhard më vonë), (përfshi Theçer dhe Regan në sferën politike) nga ideali i zgjerimit të lirisë individuale. Në këtë kuptim, qendra e djathtë është natyrshëm mosbesuese ndaj rolit të shtetit apo autoritetit nga lart në jetën ekonomike, politike apo sociale të vendit. Ajo beson se individi është më mirë i përgatitur për t’i shpenzuar paratë në interes të mirëqënies së tij dhe familjes. Kështu, e djathta takson më pak për të lënë më shumë para në xhepat e qytetarëve. Për të djathtën, jeta ekonmike, politike dhe sociale është shumë komplekse për tu organizuar në mënyrë të planifikuar nga një trupë politike apo epistemike. Dija sipas ekonomistit austriak Friedrich Hayek është e shpërndarë në hapësirë dhe kohë, dhe nuk është as shumatore e dijes shkencore. Njerëzit kanë agjensi veprimi autonome, pra...

Nevoja për Qendrën e Djathtë në Shqipëri

  Më shumë së tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria i ngjan një avioni i cili më në fund ka dalë në pistë pas izolimit gjysëm shekullor në burgun e tmerrshëm të Enver Hoxhës, por nuk po arrin të bëjë shkëputjen e shumëpritur për tu ngjitur në qiell. Kjo do të përbënte një hap domethënës për vendin, duke e nxjerrë nga faza e një shteti pa orientim strategjik, dhe transformuar në një shtet të zhvilluar, antar të Bashkimit Europian dhe të gatshëm për të përballuar sfidat aktuale dhe dekadave të ardhshme. Rreziku i ngecjes në pistë, dhe më keq akoma, parkimi i mundshëm i Shqipërisë në rradhën e vendeve autoritare, ku ka gjysëm liri ose pak liri është bërë edhe më akut në një kohë kur partia në pushtet ka krijuar një hegjemoni politike dhe ekonomike afatgjatë. Pavarësisht progresit të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes dhe politikës, drejtësia nuk është alternativë politike, por një mekanizëm kontrolli ndaj ...