Skip to main content

Të korrat e doktrinës ‘zero probleme me fqinjët’

Sapo hyri në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë në 2013-ën, Edi Rama, shpalosi si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij të jashtme doktrinën “zero probleme me fqinjët”. Shqipëria ka aspiruar dhe punuar në mënyrë konstruktive për ndërtimin e marrëdhënieve të mira dhe miqësore me fqinjët në Veri, Jug dhe përtej Adriatikut. Mirëpo, për shkak të vragave historike të ngjizjes dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, promovimi i një doktrine të tillë si politikë zyrtare shtetërore – ofrimi i një lloj Pax Balcanica në tavolinë në kushtet e ndarjes së interesave legjitime në një rajon ku paradoksalisht shqiptarët kufizohen me njëri-tjetrin, duket se ka hapur brazda fertile për avancimin e politikave rajonale që shkojnë kundër interesave kombëtare të Shqipërisë.

Siparin e ndjekjes së kësaj politike Rama e hapi në vitin 2014 kur vizitoi Serbinë, duke u bërë pas Enver Hoxhes, kryeministri i dytë në historinë e shtetit shqiptar që viziton Beogradin. Sigurisht, hapja ndaj Serbisë e cila erdhi edhe në kuadër të procesit të sapofilluar me shumë bujë të Berlinit ishte një akt i pritshëm dhe që mund të përdorej për të ndihmuar dialogun me Kosovën dhe zbutur atmosferën hipernacionaliste në tërësi në rajon.

Por fatkeqësisht, kryeministri Rama në vend që ta kondiciononte raportin Tiranë-Beograd me Kosovën, i dha oksigjen Aleksandër Vuçiç, një autokrati ballkanik, i cili e ka shfrytëzuar me mjeshtëri afrimin me Tiranën, duke e shitur kësisoj veten si një lider europian në sytë e Brukselit. Për më tepër, Serbia ka tentuar në vijimësi anashkalimin e Prishtinës dhe gjetjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës me Tiranën, pasi në këtë mënyrë zhvelftëson shtetësinë e Kosovës. Me një lloj protagonizmi të panevojshëm, arrogant dhe të papjekur, Rama filloi të filste në emër të Kosovës, t’u jepte leksione dhe ofendonte udhëheqjen e Prishtinës sa herë nuk binin ndakort me idetë e tij, duke u berë në këtë mënyrë patericë e Vuçiç.

Në një kohë kur Serbia bllokoi antarësimet e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe filloi një fushatë të egër kundër pavarsisë së Kosovës, Rama u angazhuar në nisma rajonale me Serbinë si mini-shengeni Ballkanik pa unifikuar qëndrimet me Kosovën, duke e vendosur këtë të fundit në një pozitë të vështirë. Për të mos folur mandej për zërat se ai ishtë një nga mbështetësit e idesë së ndryshimit të kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë, një plan që i ka ardhur vërdallë si fantazëm Kosovës për një periudhë të gjatë kohe derisa duket se u fashit për momentin nga marrëveshja për normalizim ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.

Me të njëjtin dritëshkurtësi, Rama ka zgjatur duart në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi sa herë janë zhvilluar zgjedhje kombëtare. Ai u bë protagonist i panevojshëm i bashkimit të faktorit shqiptar në Shkup duke postuar foto me liderët e partive politike shqiptare në sallën e hartave në Kryeministri në një kohë kur thikat vringëllinin mes LSDM-se së Zaev-it dhe VMRO-së. Me një akt të paprecedentë, të denjë për lëshimin e një note diplomatike, Rama ndërhyri në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi duke i bërë thirrje komunitetit shqiptar atje për të votuar autokratin jetëgjatë Milo Gjukanovic. Ironikisht, në krye të 7 viteve të qeverisjes, doktrina “zero probleme me fqinjët” është transformuar në mbatjen në këmbë të një aleance autokratësh të cilët tashmë kanë frikë së rënia e njërit do të shkaktojë rënien të gjithëve në një efekt domino.

Ndërkohë, kur po i vjen fundi mandatit të dytë në krye të ekzekutivit shqiptar, politika e tij e zeros nuk ka arritur të adresojë asnjë problem thelbësor me Greqinë. Tratativat për arritjen e një marrëveshje paketë, ku përfshihesh ligji i luftës, çështja çame dhe e minoriteteve si dhe delimitimi i ujrave në detin Jon, dështoi, duke e lënë përsëri Shqipërinë të pambrojtur përballë makinacioneve të Athinës. Ridalja në skenë e çështjes së detit ka ngritur shqetësime serioze në aftësinë dhe vullnetin e kësaj qeveria për të mbrojtur në mënyrë të drejtë interesat kombëtare. Qeveria shqiptare nuk ka sqaruar opinionin publik në mënyrë transparente nëse zgjerimi me 12 mijle i Greqisë në detin Jon e prek apo jo Shqipërinë. Përkundrazi, në vend që qeveria shqiptare të vendoste në lojë mekanizma diplomatikë me Athinën, BE-në dhe me NATO-n për gjetjen e një zgjidhje të drejtë, ka pranuar pa kushte të drejtën e zgjerimit të Greqisë në ujrat detit Jon ku mendohet se janë zbuluar rezerva të rëndësishme në naftë dhe gaz, duke rrezikuar kësisoj seriozisht sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

E gjithë kjo panoramë e cila ngërthen në vetve problematika serioze për shqiptarët në rajon tregon se sindroma zero në politikën e jashtme rajonale ka prodhuar frute të hidhur për Shqipërinë. Vendi ka humbur relevancën e vet si qendra e shqiptarizmës, faktori shqiptar është përçarë dhe rrudhur, ndërsa shtetësia e Kosovës është rinegociuar edhe me bekimin e Shqipërisë. Kështu, edhe një profan në politikë të jashtme mundet me konstatu lirisht se konstruktimi i diplomacisë shtetërore si një sipërmarrje e re, një shpikje nga hiçi, pa histori dhe vazhdimësi ka qenë kundërproduktive për interesat shqiptare në rajon.  Me largimin e Edi Ramës nga zyra e Kryeministirit, lypet urgjentisht që shteti shqiptar të ndërtojë një politikë të jashtme shtetërore kohezive, të pjekur dhe strategjike për të përballur pasojat e “doktrinës zero probelme me fqinjët” si dhe sfidat e rëndësishme që e presin në dekadën që sapo kemi shkelur.

https://www.syri.net/op-ed/367039/te-korrat-e-doktrines-zero-probleme-me-fqinjet/?fbclid=IwAR0XGHGCgwpqY0LdW-ACF95d6-rfN9tGNbe92sSgrUjfLl3QtD6N41ojMpc


© SYRI.net

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me q ë llim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore. Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri. Por,...

The Ahtisaari Process and EU Dialogue between Kosovo and Serbia: A tale of two stories

  *Altin Gjeta The relationship of the internationals, namely, the western powers with Kosovo is not new and barely linear. Kosovo was one of the four predominantly ethnic-Albanian populated provinces (vilajet of Kosovo) under the Ottoman Empire for many centuries. And when the Empire collapsed in the beginning of the 20th century, Albanian leaders declared independence in historical lands including Kosovo. Yet, great power politics of the time outmanoeuvred Albanians’ determination to have their independent nation-state governing all Albanian inhabited lands.  The nascent and weak Albanian state was put under international supervision at the 1913 London Ambassadors’ Conference, while Kosovo and other parts of Albanian populated territories were carved out to please its neighbours’ ambitions. So, Kosovo was annexed by Serbia and for almost a century remained under its rule. There was systematic oppression of Kosovo Albanians, mass expulsion, imprisonment and torture....