Skip to main content

“Sovraniteti vs Integriteti”, një manual diplomatik për Kosovën

Pak ditë më parë, shtëpia botuese “Onufri” ka botuar librin e fundit të ambasadorit Arben Çejku, “Sovraniteti versus Integriteti. Prapaskenat e dialogut dhe sfidat e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Monografia e ambasadorit Çejku është një ngjarje kulturore dhe shkencore, e cila rrezaton dritë në hapësirën shqiptare në një moment paqartësie dhe pasigurie për të ardhmen. Botimi i librit “Sovraniteti versus Integriteti” vjen në një çast shumë delikat për shtetin e ri të Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova me ndërmjetësimin e BE-së u angazhua në bisedime me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Pritshmëritë nga dialogu Prishtinë-Beograd ishin të larta dhe në fillim pati disa produkte me nënshkrimin e marrëveshjeve teknike në Bruksel në 2013 dhe 2015. Shumë nga termat e marrëveshjeve ishin të paqarta dhe për pasojë, mbetën të pazbatueshme. Faktori ndërkombëtar, në një përpjekje për të akomoduar Serbinë dhe serbët e Kosovës, pranoi propozimin e krijimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë (Asosacioni). Mirëpo, Asosacioni godiste parimin e multietnicitetit të Pakos Ahtisaari, fondamentin mbi të cilin është ngritur shteti i pavarur i Kosovës.

Për rrjedhim, marrëveshjet e Brukselit rezultuan kundërproduktive. Dialogu duket se e futi shtetësinë e Kosovës në një proces rinegocimi. Si rrjedhojë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë rrëshqitën në tensione dhe pozicione të papajtueshme. Serbia filloi një fushatë të egër kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova u kundërpërgjigj me vendosjen e tarifës 100% mbi mallrat serbe. Të gjitha këto zhvillime çuan në bllokimin e dialogut dhe vendosjen e shtetësisë së Kosovës në një pozicion të palakmueshëm së brendshmi dhe në arenën ndërkombëtare.

Megjithatë, autori nuk i ka bishtnuar peshës së rëndë të momentit dhe sfidave me të cilat përballet Kosova, por nëpërmjet gërshetimit të praktikës diplomatike, skrupulozitetit shkencor dhe publicistikës fine ka sjellë për lexuesin një analizë të ftohtë dhe gjithëpërfshirëse të problemeve dhe paradokseve, që mbajnë peng konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Libri është një vepër voluminoze e ndarë në dhjetë kapituj, në raport harmonizues me njëri-tjetrin dhe argumentin qendror. Secili kapitull hedh dritë mbi ngjarje, momente, aktorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që kanë formësuar shtetësinë e Kosovës që nga vitet ‘90-të deri më sot.

Ambasadori Çejku u ka dredhuar me shumë mjeshtëri folklorizmave nacionaliste, të cilat shoqërojnë shpeshherë botimet shqiptare për Kosovën në Tiranë dhe Prishtinë. Analiza e tij është udhëhequr nga paradigma e kërkimit të së vërtetës dhe nxjerrjes së problemeve reale nëpërmjet konsultimit të burimeve më relevante dhe praktikës së tij të drejtpërdrejtë në terren. Autori ka shkruar një histori diplomatike të procesit shtetformues të Kosovës, ka vlerësuar aktorët lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë për kontributin e tyre. Por, si rrallëherë në hapësirën shqiptare, ambasadori Çejku ka parë me sy kritik rolin e faktorit ndërkombëtar në momente dhe etapa të caktuara të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të saj. Analiza e tij mbi këtë rol është e detajuar dhe shumë informuese dhe hedh dritë edhe mbi pasojat e padëshiruara që kanë sjellë vendimet e komunitetit ndërkombëtar mbi shtetësinë e Kosovës, si pasojë e ambivalencave dhe përplasjes së interesave të tyre në Kosovë dhe më gjerë.

Në këtë monografi, autori elaboron aspekte të patrajtuara mirë në botën publicistike dhe akademike shqiptare. Për shembull, libri na jep të dhëna shumë të rëndësishme dhe interesante mbi ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe në Beograd përkundrejt çështjes së Kosovës. Ndërkohë, në libër analizohet edhe roli i serbëve të Kosovës si një nexus mes Beogradit dhe Prishtinës. Serbët e Kosovës janë nyja gordiane, e cila lypet të zgjidhet sa më parë. Nga mënyra sesi do të zgjidhet kjo nyje do të përcaktohet shumëçka mbi të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe pozicionin e faktorit shqiptar në rajon. Bash për këtë, ambasadori Çejku është i vëmendshëm ndaj serbëve të Kosovës dhe pozicionit të tyre mes Beogradit dhe Prishtinës, duke na ndihmuar të kuptojmë më shumë rreth produktit të mundshëm final të dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë kuptim, “Sovraniteti versus Integriteti” është një manual diplomatik se si duhet kuptuar dhe konceptuar raporti i Kosovës me Serbinë. Në këtë botim, ambasadori Çejku trajton çështje ekzistenciale për Kosovën, faktorin shqiptar në tërësi, si dhe arkitekturën e sigurisë në rajon. Autori nuk jep formula të gatshme, por opsione, na grish në lexim, reflektim dhe maturi përballë dualitetit ku ndodhet sot Kosova dhe i gjithë kombi shqiptar. Andaj, monografia e Arben Çejkut përbën një kontribut shumë të rëndësishëm teorik dhe praktik për politikëbërësit në Prishtinë dhe Tiranë, studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë dhe zgjidhjes së konflikteve, si dhe publikun e gjerë. Pas leximit të këtij libri, çështja e Kosovës do të kuptohet më mirë në botën shqiptare dhe më tej. 

“Sovraniteti vs Integriteti”, një manual diplomatik për Kosovën (panorama.com.al)

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me q ë llim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore. Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri. Por,...

KUR PD TAKON ELEFANTIN

Si të kuptosh trupin politik? Objektivi kryesor i partive politike është të fitojnë zgjedhjet dhe qeverisin. Vetëm kjo do t'i mundësojë një organizmi politik të vendosë në jetë programin elektoral, mbështesë shtresat shoqërore që përfaqëson dhe të sjellë trofe politik tek mbështetësit. Pra, partitë politike duhet të shmangin me çdo kusht humbjen e zgjedhjeve. Sigurisht shkalla e humbjes varion: çfarë është humbje, për shembull për një parti nuk është për një tjetër. Nëse merr pjesë për herë të parë në zgjedhje, fitimi i disa ulësve në parlament është fitore. Por nëse je një nga partitë krysore të sistemit politik dalja apo qëndrimi në opozitë është padyshim disfatë elektorale. Humbja e zgjedhjeve nga Partia Konservatore në Britani, Partia Demokratike në SHBA dhe së fundi nga Social-Demokratët në Gjermani përbën një moment thyrje në jetën politike të këtyre partive. Humbja shoqërohet me kriza të brendshme, avullim të fondeve si pasojë e largimit të donatorëve, zhgënjim dhe largim ...