Skip to main content

Pasjeta (vazhdimësia) e regjimit komunist në Shqipëri: Nevoja për tu përballur me të vërtetën

Jemi mësur në këto tre dekada që në hapësirën publike të flitet për rrëzim të regjimit komunist, Shqipëri post-komuniste ose pluralizm politik. Kjo narrativë bëhet ma shurdhuese në data të caktuara me qëllim imponimin e një të ‘vërtete’ në kujtesën tonë kolektive. Pra, historia jo vetëm tentohet të shkruhet dhe rishkruhet sipas lenteve të njerëzve të interesuar, por paraqitet në formë lineare si ndarje epokash që ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë kronologjike dhe pa lidhje shkakësore.

Qëllimi i kësaj ndërmarrje larjetruri është për të ndërtuar imazhin e diskontinuitetit (thyerje epokash) mes regjimit komunist dhe Shqipërisë post. Prandaj historia politike plazomhet si periudhë ndarjesh kohore në përpara dhe pas – si kalim në një sistem tjetër politik me sjellje, kulturë dhe kushte materiale totalitare të vdekura. Ky diskurs regjim/post-regjim është prezent dhe dominues në rrethet e klasës politike, një pjesë të mirë të botës akademike, medias, në shkolla, familje dhe shoqëri.

Por, a kemi përnjëmend të bëjmë me diskontinuitet/shkëputje? A përputhet kjo qasje lineare dhe sterile ndaj historisë së ndryshimeve politike me të vërtetën e Shqipërisë së tre dekadave të fundit?

Mendoj se narrativa dominuese Shqipëri komuniste/post-komuniste është problematike, sepse, në fakt kemi të bëjmë me vazhdimësi të regjimi, e manifestuar në sjellje, ide dhe qasje ndaj kulturës materiale.

Në novelën Afterlives (Pasjeta) shkrimtari fitues i çmimit Nobel në letërsi Abdulrazak Gurnah i lindur në Zanzibarin post-kolonial tregon sesi e shkuara kriminale jeton përtej vdekjes. Ideja qëndrore e librit është se nëse nuk përballemi me të shkuarën kriminale, ajo na ndjek nga pas si fantazëm – jeton me ne edhe pse supozohet e vdekur.  Nëpërmjet alegorisë autori lidh të shkuarën koloniale dhe konfliktuale të Zanzibarit me trajektoren e karaktereve të librit, ndërsa fragmente të së shkuarës rishfaqen dhe formësojnë të tashmen.

Të ndriçuar nga ideja universale e romanint të Gurnah, koncepti i pasjetës është integruar në shkencat politike për të shpjeguar tranzicionet dhe riprodhimin e narrativave dominuese në forma dhe mjete të tjera, por që thelb mbeten të njëjta.

Njëlloj si në Zanzibarin post-kolonial të Gurnah edhe në Shqipëri fantazma e enverizmit ka vijuar të jetojë pas vdekjes. Vazhdimësia e regjimit është manifestuar në dy forma; së pari, si jehonë e së shkuarës e cila vjon të ndikojë thellësisht në të tashmen nëpërmjet sjelljeve, kulturës dhe ideve totalitare të ngulitura dhe riprodhuara në mënyrë të vazhdueshme – dhe së dyti si pasuese e të shkuarës (aftermath) e ilustruar në qasjen ndaj kulturës materiale.

Bartësit kryesor të sjelljeve, kulturës dhe ideve totalitare janë elitat; ky grup njerëzish që sipas Thomas Sowell e përcatkojnë veten si inteligjenca, pra ajo shtresë e shoqërisë që flet gjuhën e dijes ka qenë në ballë të zgjatimit të regjimit komunist në Shqipëri. Sigurisht, nuk mund të pritej objektivisht ndryshe pasi Shqipëria nuk pati disidencë të mirfilltë dhe të organizuar, le të themi, për shembull si Polonia apo Çekosllovakia.

Megjithatë, elita e vetëquajtuar post-komuniste në Shqipëri rimishëroj sjelljet dhe kulturën totalitare jo vetëm si konstrukt por edhe si luftë për pushtet me mjete të tjera. Mjafton të shikohet sesi organizohen dhe operojnë partitë politike, institucionet akademike, zgjedhjet dhe media për të kuptuar se dikotomia regjim/post-regjim është një konstruksion pa lidhje me të vërtetën. Përpjekjet e pasinqerta dhe pengesat e procesit të lustrimit (pastrimit) të shtetit nga individë bashkëpunëtor apo aktor të krimeve të regjimit komunist dëshmojnë se nuk ka thyerje epokash, por vazhdimësi.

Përpos elitës politike e cila ka riprodhuar të njëjtat sjellje totalitare të maskuara me beze’ liberale, bota akademike ka riprodhuar dhe vazhdon të riprodhoje në një masë të madhe qëndrimet e historiagrafisë së regjimit komunist. Librat e shkollës janë sterile ndaj abuzimit me të drejtat e njeriut në kohën e komunizimit, ndërsa glorifikojnë sistemin si zhvillues dhe emancipues.  Shkrimtarja Lea Ypi në kapitullin e fundit të librit “Të Lire” riprodhon pa verifikim faktesh dhe analizë historike mo-ta-mo narrativën e regjimit komunist sipas të cilit mbreti Zog u largua nga vendi me çantat me florinjt e thesarit të shtetit.

Vazhdimësia e regjimit ështe reflektuar edhe në qasjen ndaj të shkuarës materiale. Strategjikisht kjo është kanalizuar në rrënim të çdo strukture materiale jokomuniste, dhe nga ana tjetër në rigjallërimin ose ma mirë me thanë romantizim të strukturave totalitare.

Pothuajse e gjithë arkitektura urbane e mbretit Zog dhe trashigimia fashiste në Tiranë janë spastruar nga memoria kolektive ose lënë në rrënim. Bunkerët e udhqëheqjes komuniste janë rivitalizuar dhe zbukuruar, vila e Enver Hoxhës është hapur për evente elegante dhe mauzoleu i tij është ridizenjuar në forma moderniste.  

Ndërkohë, shumica e vendkrimeve të regjimit; Burgu i Spaçit, Burrelit dhe Kampet e Përqëndrimit po restaurhen, rimodelohen dhe romantizohen me qëllim relativizimin e krimeve të regjimti totalitar.

Pra, njëjtë si jehon zëri në hapësirë të mbyllur, edhe regjimi komunist vazhdon të jetojë në froma, kulturë politike dhe sjellje. E vërteta thotë Roger Scruton nuk është thjeshtë çështje faktesh, por mbi të gjitha është detyrim moral ndaj shoqërisë. Kësisoj të flasësh në termat regjim/post-regjim i zgjat jetën gënjeshtrës, dhe të jetosh me rrena shkatërron themelin moral të shoqërisë, vijon Scruton.  


 

Comments

Popular posts from this blog

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë. Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA. Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan 'the anointed' presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike. Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. P...

Ndikimi i Trump 2.0 në Shqipëri

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka të gjithë përbërësit për të shkaktuar ndryshime të mëdha politike në të gjithë botën. Lëvizjet sizmike të pllakës më të madhe politike në planet do të kenë efekte pasgoditëse në rajone, fusha dhe çështje të cilat ishin çimentuar në tre-katër dekadat e fundit nga konsensusi në qendër mes të majtës dhe të djathtës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në këtë konstelacion, me peshë krejt të papërfillshme, ndodhet edhe Shqipëria. Në skemën e madhe të politikës Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e vagonit në trenin perëndimor pasi nuk ka as fuqi politike, ekonomike apo ushtarake për të vepruar si shtet sovran në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, platfroma ‘Amerika e Para’ e presidentit Trump ka gjasa të zhbëjë shumë nga linjat trandicionale politike në botë. Ndryshe nga hera e parë në zyrë, Trump ka mbledhur rreth vetes njerëz që besojnë tek idetë e tij dhe janë të gatshëm të marrin akte të forta pa shumë pyetje. Qysh në ditën e pa...