Skip to main content

Udhëtim në tri kohë

 


Iu bashkova gjimnazit “Leonik Tomeo” diku në shtator të vitit 2004 pas një tentative të pasuksesshme për tu regjistruar në teknikumin ekonomik të Tiranës. Shkak për këtë aventurë të pasuksesshme dhe të dhimbshme u bë im atë. Ai ngulmoi se duhet të studioja ekonomi, pasi kjo sipas tij do të ishte njëlloj garancie për punësim në jetë. 

Por unë nuk isha mirë me numrat. Vija nga një shkollë rurale ku mbizotëronte rrëmuja dhe preokupimi kryesor i mësuesve ishte disiplina në ambientet e shkollës. Megjithëse atëherë nuk pata asnjëlloj dëshire për të studiuar ekonomi, më vonë pas adoleshencës zhvillova një pasion të heshtur për politikën ekonomike, duke u bërë një lexues i dhënë pas Fridrik Hajek, ekonomistit liberal të shkollës së Vjenës.

Gjithsesi, regjistrimi në shkollën e mesme  “Leonik Tomeo” ishte njëfar fillimi i ri. Vjeshta qe e ngrohtë atë vit, teksa rreshtoheshim për tu futur në klasë, dielli lëshonte rreze verbuese, por pasiguria për të ardhmen sikur ma ftohte trupin deri në kockë.

Në fillim të viteve 2000 pati një dyndje regjistrimesh në shkollat e mesme të Durrësit. Lëvizjet demografike nga zonat e thella të Shqipërisë drejt qendrave urbane pas rënies së regjimit komunist, shtimi natyral i popullsisë, dëshira e zjarrtë e prindërve për shkollim të fëmijëve të tyre, por edhe njëlloj shtyse e kotë për tu bërë të gjithë 'intelektualë' i shtrëngoi nxënësit si kokrrat në shegë nëpër gjimnazet e Durrësit.

Atë vit u krijuan tetë klasa të para tek “Leonik Tomeo”. Unë isha vendosur në të parën e fundit, të tetën J. Ishim 52 nxënës në klasë. Për shkak të mbipopullimit, na ishte sajuar një klasë atypëraty tek palestra e vajzave në shkollë. Qe një klasë e madhe, por me pak ndriçim dhe me hekura në disa dritare të mëdha që shikonin nga rruga kryesore.

Kalimi nga një shkollë rurale në Durrës rezultoi një tranzicion i dhimbshëm. Mbipopullimi në klasë e bënte të vështirë procesin mësimor. Nuk kishte asnjëherë kohë për tu përqëndruar në mesime as për të bërë vlerësime të performancës së nxënësve. Shumë prej shokëve të mij të klasës as që ishin të interesuar për mësimin. Kishin ardhur për të kaluar disa orë gallatë dhe ku i dihet, nëse ia hidhnin paq në vitet e gjimnazit mund të bëheshin drejtorë apo deputetë në të ardhmen.

Sikur të mos mjaftonte kjo, qesh një djalë timid. Punoja fort por nuk guxoja të ngrija krye në klasë përballë mësuesve. Kjo desh më rrezikoi kalimin e një lënde vitin e parë. Të gjendur nën presionin e një turme të rinjsh në vitet e adoleshencës, mësuesit kishin zhvilluar një sjellje drakoniane ndaj nxënësve. Nuk kishte hapësira për këshilla, por vetëm për qortime dhe nota dëshpëruese.

Kjo qasje ndëshkuese nga mësuesit nuk doli krejt e pavlerë. Tek shumë prej nesh zhvilloi aftësinë e të mbijetuarit. Qe një regjim kadetësh që ndërtoi një trupë të rinjsh dhe të rejash me ambicie dhe ndjenjë të fortë qëndrese përballë sfidave. Një kulturë informale që e kishte burim ndoshta tek pedagogjizmi i vjetër, por që në përfundim farkëtoj tek unë disiplinën dhe përpjekjet për dije dhe arritje.

Në vitet që pasuan në klasë u bëmë gjithnjë edhe më pak. Shumë prej nxënësve ngelën rrugës, iu dorëzuan fatit të tyre dhe mungesës së dëshirës për tu marrë me librat. Aq shumë u tretëm, sa në vit të tretë u shkrimë me një klasë tjetër të përgjysmuar. Iu larguam shkronjave të fundme të alfabetit. Tashmë ishim klasa e zhurmshe E. Filluam të marrim frymë më lirisht dhe të ngrinim krye.

Drejtimi i shkollës qe gjithmonë i shqetësuar për rebelimet tona të vogla. Kishim një grup shokësh të dhënë pas rrëmujës. Nuk qesh asnjëherë njëri prej tyre, por ndonjëherë i bashkohesha aventurave të grupit. Nuk ishin vite të lehta për mësuesit dhe drejtuesit e shkollës. Ishim një minë me sahat. Drejtori, qe një veteran në drejtimin e shkollës. I sertë dhe me një dorë të hekurt përpiqej çdo ditë të “shtypte” revolucionet tona të kota.

Vite më vonë, kur u trasnferova në Angli për studime pasuniversitare, mësova për kolegjet britanike të njohua për kulturën e disiplinës dhe etikën e punës. Stafi drejtues i gjimnazit dhe mësuesit tonë kishin aplikuar me nënvetëdije metoda të përafërta, por larg shkëlqimit të kolegjeve britanike. Shqipëria vijonte të lëngonte nga tranzicioni i vështirë politik pas përmbysjes së dikataturës më të eger në Europë. Nuk kishte financa të mjaftueshme asnjëherë në shkollë për të modernizuar ambientet apo mbështetur mësuesit me mjete mësimore dhe trajnime bashkëkohore. Kurrikulat qenë të vjetra, ndërsa mungonin laboratorët e shkencave natyrore.

Megjithatë, shkolla qëndronte mbi ujë falë përkushtimit të dhjetra mësuesve që punonin në kushte të vështira. Infrastruktura në shkollë po përmirësohej pak, ndërsa Shqipëria po hapej me perëndimin.

Aty rreth vitetve 2005-2008 “Leonik Tomeo” u kthye në një nga gjimnazet më konkuruese në qytet. Prej disa vitesh mësuesit më të mirë të Durrësit ishin transferuar aty. Bashkë më dijet e tyre kishin sjellë eksperiencën dhe ambicien për sukses. Kishim qenë një shkollë në hije, ndërsa rreth mesit të viteve 2000 u bëmë të njohur për disiplinën dhe standardin e lartë në mësimdhënie.

Bashkë me shkollën u rrita pak edhe unë. Kisha filluar të piqesha intelektualisht pas një vonese tipike për djemtë e asaj moshe. Në klasë gëlonte një konkurencë e shfrenuar, por e shëndetshme për nota dhe prestigj. Filluan të shfaqen edhe dashuritë, ngritjet dhe rëniet e para. Klasa qe kthyer me pamje nga rruga mbrapa. Vajzat po bëheshin gjithnjë e më të hijshme, ndërsa pasiguritë tona shtoheshin. Nuk qe krejt kohë vulgariteti. Ishim të përmbajtur. Celularët e parë na dhanë mundësi të dëgjonim muzikë të viteve 90-ta dhe vitete 2000 teksa rrinim mbi banka dhe ankoheshim për ekuacione të vështira në matematikë apo mësimet e gjata të historisë.

Vitet e zymta të fillimit i hapën udhë viteve me ambicie. Mësuesit kishin fituar respektin tonë, ndërsa ne vlerësimin e tyre. Tashmë të dy palët shikonim më kthjellët. Suksesi ynë ishte suksesi i tyre, ndërsa dështimi ynë ishte humbje e tyre. Ndërsa afroheshin provimet e maturës kishim hypur në të njëjtën varkë. Duhet të rremonin të dyja palë fort që të dilnim në bregun tjetër.

Në këtë kohë unë kisha zhvilluar një pasion për historinë dhe filozofinë. Ndërsa shkolla qe rritur edhe më shumë saqë nuk kishte më vend për më të dobëtit.

Zhytja në shkencat humane më çoi të studioja histori, marrëdhënie ndërkombëtare dhe politikë. Disa prej nesh në fakt fituam degë elitarë në Universitetin e Tiranës, ndërsa një pjesë u pranua në universitetin e sapohapur, por ambicioz të Durrësit.

Në vitin 2008 gjenerata ime u nda nga “Leonik Tomeo” për të fillur një jetë tjetër në universitete, punë, biznes apo eksploruar jetën në vendet e botës. Por shkolla qëndroi aty bashkë me mësuesit që na dhanë jo vetëm mësime ekuacionesh, historie apo filozofie, por edhe mësime jete.

Qysh prej asaj kohe nuk u ktheva më tek shkolla për më shumë se një dekadë. Sa herë kaloja përbri për në punët e mia në qytet, hidhja sytë nga dritarja e klasës ku pata shpenzuar vitet më të gjalla të jetës time. Vegime të trazuara, plot rënie dhe ngritje më shfaqeshin përpara syve. Nuk guxoja t’i ç’paketoja. Qenë më shumë ndjenja të përziera për për tu arsyetuar...

Teksa ndjekt studimet doktorale në Universitetin e Birmingamit në Angli, dhe eci rrugëve të këtij qyteti të kuqërremtë me Kisha dhe lisa të mëdhenj, kthej kokën pas dhe shikoj nga kam ardhur. Nga “Leonik Tomeo” në Tiranë, Londër, e mandej në Birmingham. Po ta kisha përfytyruar këtë rrugëtim në atë ditë vjeshte tek qëndroja i përhumbur përballë shkollës, ndoshta dielli do të më kishte ngrohur lëkurën e hollë djaloshare.

Por nuk qe e thënë. Duhej kaluar përmes pllakave të grinjta të “Leonik Tomeo-s” për të mbërritur në destinacione të tjera. Aty kam mësuar të jetoj me maksimën e Winston Churchill, cili thoshte se “suksesi nuk është përfundimtar, as dështimi fatal. Ajo çka ka rëndësi është kurajo për të ecur përpara”. Nuk qe një mësim i vogël për sfida të mëdha.

Comments

Popular posts from this blog

Nevoja për të Djathtën: Disa Ide Qëndrore

  I. Modeli ekonomik (zgjerimi i lirisë) E djathta e qendrës është udhëhequr që nga koha e iluminizmit, e mandej në shekullin e XX (ekonomistët e shkollës së Vjenës Von Mises, Hajek, dhe Erhard më vonë), (përfshi Theçer dhe Regan në sferën politike) nga ideali i zgjerimit të lirisë individuale. Në këtë kuptim, qendra e djathtë është natyrshëm mosbesuese ndaj rolit të shtetit apo autoritetit nga lart në jetën ekonomike, politike apo sociale të vendit. Ajo beson se individi është më mirë i përgatitur për t’i shpenzuar paratë në interes të mirëqënies së tij dhe familjes. Kështu, e djathta takson më pak për të lënë më shumë para në xhepat e qytetarëve. Për të djathtën, jeta ekonmike, politike dhe sociale është shumë komplekse për tu organizuar në mënyrë të planifikuar nga një trupë politike apo epistemike. Dija sipas ekonomistit austriak Friedrich Hayek është e shpërndarë në hapësirë dhe kohë, dhe nuk është as shumatore e dijes shkencore. Njerëzit kanë agjensi veprimi autonome, pra...

Nevoja për Qendrën e Djathtë në Shqipëri

  Më shumë së tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria i ngjan një avioni i cili më në fund ka dalë në pistë pas izolimit gjysëm shekullor në burgun e tmerrshëm të Enver Hoxhës, por nuk po arrin të bëjë shkëputjen e shumëpritur për tu ngjitur në qiell. Kjo do të përbënte një hap domethënës për vendin, duke e nxjerrë nga faza e një shteti pa orientim strategjik, dhe transformuar në një shtet të zhvilluar, antar të Bashkimit Europian dhe të gatshëm për të përballuar sfidat aktuale dhe dekadave të ardhshme. Rreziku i ngecjes në pistë, dhe më keq akoma, parkimi i mundshëm i Shqipërisë në rradhën e vendeve autoritare, ku ka gjysëm liri ose pak liri është bërë edhe më akut në një kohë kur partia në pushtet ka krijuar një hegjemoni politike dhe ekonomike afatgjatë. Pavarësisht progresit të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes dhe politikës, drejtësia nuk është alternativë politike, por një mekanizëm kontrolli ndaj ...