Skip to main content

Kurti duhet të ndjekë lidershipin e SHBA në çështjen e Jeruzalemit


Kurti duhet të ndjekë lidershipin e SHBA në çështjen

 

Altin Gjeta* 

Akoma pa u tharë mirë boja në fletët e votimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit si dhe pa hyrë në zyrën e kryeministrit, Albin Kurti po fillon të ndjejë peshën e rëndë të sfidave më të cilat do të përballet shteti i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pak ditë më parë ai mori dy letra urimi të sajdisura me nga një ‘fishek’ në secilin zarf respektivisht. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ndërsa e uronte Kurtin për fitoren historike në zgjedhjet e 14 shkurtit, e fton kryeministrin në ardhje të Kosovës që të hapë ambasadën në Jeruzalem sipas marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Presidentit Trump. Ndërkohë, nga ana tjetër, me një ton gati-gati kërcënues, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e paralajmëron Albin Kurtin që të mos ndërmarrë një hap të tillë, pasi do të ishte me pasoja për Kosovën. Një mesazh të tillë më diplomatik ose e ka marrë ose pritet të vijë edhe nga Brukseli, pasi BE-ja nuk e njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe e ka parë me shqetësim politikën e ish-presidentit Trump kundrejt konfliktit Izrealito-Palestinez.

Kështu, me të marrë detyrën, qeveria e re e zotit Kurti do ta gjejë veten mes tre zjarreve në politikën e jashtme. I vetëdijshëm për peshën e rëndë të vendimeve në sferën ndërkombëtare, Kurti jo më kot e ka devalvuar dialogun me Serbinë dhe politikën e jashtme në përgjithësi, për të mos i mbajtur lart pritshmëritë e publikut. Nisur edhe nga eksperienca e shkurtër si kryeministër në fillim të vitit 2020, zoti Kurti besoj e ka kuptuar tashmë se një shtet i vogël, nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë, me çështje të hapuara me Serbinë, pa ulëse në OKB dhe pikë takimi e përplasjes së interesave të të ‘mëdhenjve’, ka shumë pak hapësirë për të vetëvendosur. Bash për këtë, çështja e vendodhjes së ambasadës së Kosovës në Izrael duket se do të jetë prova e parë e zjarrit për Albin Kurtin, jo vetëm për të testuar koherencën dhe karakterin e lidershipit të tij, por edhe për të paraparë orientimin e Kosovës së erës Kurti në politikën e jashtme.

Në 2018-ën Presidenti Donald Trump, me një lëvizje kontraverse në politikën e jashtme në Lindjen e Mesme vendosi që ta zhvendosë ambasadën e SHBA-vë nga Tel Avivi në Jeruzalem, në mbështetje të qeverisë izrealite e cila e ka shpallur Jeruzalemin kryeqytet, dhe në bazë të ligjit federal Amerikan të vitit 1995, i cili mandaton Uashingtonin të vendosë ambasadën e saj në qytetin e shenjtë. Legalisht Jeruzalemi u vendos nga Kombet e Bashkuara nën administrim ndërkombëtarë në 1948-ën me shpalljen e shtetit të Izrealit në territoret palestineze. Mirpo, gjatë luftës 6-të ditore në 1967, Izreali e pushtoi edhe pjesën lindore të qytetit, e parashikuar si territor palestinez duke e unifikuar Jeruzalemin dhe shpallur kryeqytet në 1980-ën. Qëndrimi mbizotërues i komunitetit ndërkombëtarë ka qenë që konflikti mbi Jeruzalemin të zgjidhet me anë të negociatave duke marrë parasysh rezolutat e OKB-së që parashikojnë dy shtete në territoret palestineze. Deri tani, vetëm Guatemala i është bashkuar SHBA-ve në zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi, ndërsa qendrat e tjera të pushtetit e kanë cilësuar lëvizjen e Trump si të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. 

Ironikisht, Kosova e gjen tash veten në kurthin e një konflikti të ngrirë në Botën Arabe ku ngërthehen përplasje dhe ambivalenca ndërkombëtare dhe intra-kombëtare mes fuqive rajonale dhe botërore. Në një situatë të tillë, Kurti do të gjendet mes një presioni trekëndor nga SHBA, BE dhe Turqia, repsektivisht tri qendra të rëndësishme pushteti me qasje të ndryshme ndaj problemit të vendndodhjes së selive diplomatike në Izrael, por që kanë kontribuar thelbësisht në pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, vendimi që do të marrë zoti Kurti nuk do t’i kënaqë të gjithë miqtë e Kosovës. Kësisoj, gjykoj se diplomacia e Prishtinës në këtë rast duhet të udhëhiqet nga maksima britanike, sipas së cilës Mbretëria e Bashkuar nuk ka miq të përjetshëm, por interesa të përjetshme. 

Prandaj, në këtë frymë, mendoj se mes SHBA-ve, BE-së, dhe Turqisë, zoti Kurti duhet të ndjekë lidershipin amerikan në politikën ndaj Izraelit, pasi koha ka treguar se Uashingtoni është spiranca më e sigurtë për t’u ankoruar në një rend ndërkombëtarë gjithnjë e më multipolar. Për më tepër, në SHBA duket se ka një qëndrim bipartizan tashmë ndaj çështjes së Jeruzalemit. Gjatë një dëgjese në Senat, Antoni Blinken, Sekretari i Shtetit në administratën Bajden, ka deklaruar se do ta mbajë ambasadën amerikanë në Jeruzalem si dhe vlerësoi marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar gjatë presidencës Trump. Pamvarsisht turbulencave që solli zoti Trump, politika e jashtme amerikane ka treguar se është strategjike dhe se shkon përtej emrave të presidentëve në detyrë. 

Me vendimin për ta vendosur ambasadën në Jeruzalem, zoti Kurti do të vlerësonte jo vetëm partnerin strategjik, SHBA-në, por edhe shtetin e Kosovës dhe Izraelit të cilët kanë nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike bilaterale mbi kushtin e respektimit të vendodhjes së selisë diplomtike në qytetin e shenjtë. Tashmë në stofin e kryeministrit, Albin Kurti duhet të mos bjerë pre’ e ‘sindromës zero’ në qeverisjen e Kosovës. Mosrespektimi i një marrëveshje të tillë do të cënonte kredibilitetin e Prishtinës si një shtet që iu qëndron marrëveshjeve të nënshkruara, pamvarsisht se kush është në zyrën e kryeministrit.

Për më tepër, megjithëse duket qartazi se Kurti është më shumë europianist, nga eksperienca e tij politike ai duhet të këtë mësuar se BE-ja mbetet akoma larg të qënit një fuqi globale dhe se politika e saj kundrejt shtetësisë së Kosovës ka qenë e ndarë dhe herë-herë kundërproduktive. Brukseli ka qenë i pafuqishëm për të përmbyllur dialogun Kosovë-Serbi, duke e kyçur Prishtinën në një dialog shterp që ka hapur shtetësinë e Kosovës për rinegocim si dhe është autore e Asosacionit të Komunave Serbe në Veri, kaq shumë të anatemuar nga vetë zoti Kurti kur ishte në opozitë. Megjithëse Kosova ka bërë koncesione të dhimbshme si anagazhimi në një dialog me Serbinë pa synime të qarta, si dhe ka miratuar marrëveshjen e kontestuar të demarkacionit me Malin e Zi, BE-ja nuk i ka qëndruar premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë. 

Ndryshe nga Uashingtoni, i cili ka lobuar fuqishëm për njohjen e Kosovës, duke siguruar së fundi edhe njohjen e Izraelit, Brukseli ka qenë i pafuqishëm që të bindë pesë nga shtetet e saj antare për ta njohur Kosovën. Përkundrazi, duket se politika e jashtme e BE-së ka qenë më shumë e shqetësuar për të akomoduar Serbinë sesa për forcimin e shtetësisë së Kosovës. Së fundi, pozicioni i BE-së kundrejt vendimit të Izrealit për të shpallur kryeqytet Jerzualemin duket të jetë më shumë parimor, dhe nuk ka gjasa të afektojë rrugën e integrimit europian të Kosovës, pasi kjo e fundit do të varet kryekëput nga arrtija e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. 

Ndërsa për sa i përket pozicionit të Ankarasë në këtë mesele, mendoj se lypset që zoti Kurti të përcjellë mesazhet e duhura diplomatike ku t’i bëjë të ditur Presidentit Erdogan se marrdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Turqisë nuk mund dhe nuk duhet të kalojnë nga qëndrimet respektive të dy vendeve sovrane ndaj vendeve të treta. Megjithëse Turqia është një fuqi rajonale dhe një partnere e afërt e Kosovës, Prishtina nuk duhet t’i lejojë vetes të bëhet vasale e një vendi, fuqia dhe investimi të cilit në Kosovë është e pakrahasueshme me SHBA-në dhe BE-në. 

Në fund të fundit, zgjidhja e konflikit Izrealto-Palestinez nuk do të varet nga vendimi i Kosovës për ta vendosur apo jo ambasadën e saj në Jeruzalem. Kjo është një krizë e tejzgjatur tashmë, dhe Kosova nuk ka përse të bëhet aktor apo faktor. Të tre miqtë e Kosovës janë antarë të NATO-s, e cila udhëhiqet nga SHBA. Dhe nëse Kosova kërkon të jetë shtet sovran dhe i pavarur, Prishtina duhet të sillet fillimisht si i tillë në krah të mbështetësit më të madh të shtetësisë së saj dhe aktorit më të fuqishëm ndërkombëtarë, SHBA-ve. 

https://politiko.al/op-ed/kurti-duhet-te-ndjeke-lidershipin-e-shba-ne-ceshtjen-e-jeruzalemit-i431229?fbclid=IwAR1U1RW0zdgWa2vTEUiys4iokugcoZNTT37PDXmR-wNqdMMUzMabfLSlfk8#.YE3ujIIgtn0.facebook

Comments

Popular posts from this blog

Udhëtim në tri kohë

  Iu bashkova gjimnazit “Leonik Tomeo” diku në shtator të vitit 2004 pas një tentative të pasuksesshme për tu regjistruar në teknikumin ekonomik të Tiranës. Shkak për këtë aventurë të pasuksesshme dhe të dhimbshme u bë im atë. Ai ngulmoi se duhet të studioja ekonomi, pasi kjo sipas tij do të ishte njëlloj garancie për punësim në jetë.  Por unë nuk isha mirë me numrat. Vija nga një shkollë rurale ku mbizotëronte rrëmuja dhe preokupimi kryesor i mësuesve ishte disiplina në ambientet e shkollës. Megjithëse atëherë nuk pata asnjëlloj dëshire për të studiuar ekonomi, më vonë pas adoleshencës zhvillova një pasion të heshtur për politikën ekonomike, duke u bërë një lexues i dhënë pas Fridrik Hajek, ekonomistit liberal të shkollës së Vjenës. Gjithsesi, regjistrimi në shkollën e mesme  “Leonik Tomeo” ishte njëfar fillimi i ri. Vjeshta qe e ngrohtë atë vit, teksa rreshtoheshim për tu futur në klasë, dielli lëshonte rreze verbuese, por pasiguria për të ardhmen sikur ma ftohte tr...

Nevoja për të Djathtën: Disa Ide Qëndrore

  I. Modeli ekonomik (zgjerimi i lirisë) E djathta e qendrës është udhëhequr që nga koha e iluminizmit, e mandej në shekullin e XX (ekonomistët e shkollës së Vjenës Von Mises, Hajek, dhe Erhard më vonë), (përfshi Theçer dhe Regan në sferën politike) nga ideali i zgjerimit të lirisë individuale. Në këtë kuptim, qendra e djathtë është natyrshëm mosbesuese ndaj rolit të shtetit apo autoritetit nga lart në jetën ekonomike, politike apo sociale të vendit. Ajo beson se individi është më mirë i përgatitur për t’i shpenzuar paratë në interes të mirëqënies së tij dhe familjes. Kështu, e djathta takson më pak për të lënë më shumë para në xhepat e qytetarëve. Për të djathtën, jeta ekonmike, politike dhe sociale është shumë komplekse për tu organizuar në mënyrë të planifikuar nga një trupë politike apo epistemike. Dija sipas ekonomistit austriak Friedrich Hayek është e shpërndarë në hapësirë dhe kohë, dhe nuk është as shumatore e dijes shkencore. Njerëzit kanë agjensi veprimi autonome, pra...

Nevoja për Qendrën e Djathtë në Shqipëri

  Më shumë së tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria i ngjan një avioni i cili më në fund ka dalë në pistë pas izolimit gjysëm shekullor në burgun e tmerrshëm të Enver Hoxhës, por nuk po arrin të bëjë shkëputjen e shumëpritur për tu ngjitur në qiell. Kjo do të përbënte një hap domethënës për vendin, duke e nxjerrë nga faza e një shteti pa orientim strategjik, dhe transformuar në një shtet të zhvilluar, antar të Bashkimit Europian dhe të gatshëm për të përballuar sfidat aktuale dhe dekadave të ardhshme. Rreziku i ngecjes në pistë, dhe më keq akoma, parkimi i mundshëm i Shqipërisë në rradhën e vendeve autoritare, ku ka gjysëm liri ose pak liri është bërë edhe më akut në një kohë kur partia në pushtet ka krijuar një hegjemoni politike dhe ekonomike afatgjatë. Pavarësisht progresit të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes dhe politikës, drejtësia nuk është alternativë politike, por një mekanizëm kontrolli ndaj ...